Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar ditën e sotme për përjashtimin e deputetes Elisa Spiropali. Kërkesën për përjashtimin e Spiropalit u bë nga Edi Rama gjatë Asamblesë në Gjirin e Lalzit dhe e hodh në votim gjatë mbledhjes së sotme.
Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Bledi Çuçi, kanë abstenuar gjatë votimit. Vetë Elisa Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen ku kolegët e saj vendosën për përjashtimin nga çdo forum i PS.
Mësohet se në mbledhje se nuk është paraqitur asnjë arsye për përjashtimin e Spiropalit. Klosi ka deklaruar në mbledhje që “morëm vendim në Asamble dhe quhet e përjashtuar”.
Kërkesa për votim është bërë nga kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla. Mbledhja nisi në orën 09:30 ndërsa pas votimit ka përfunduar.
Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka ndryshuar edhe aritmetikën e votave të mazhorancës në Kuvend. Nga 83 mandate që socialistët fituan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, grupi parlamentar i PS-së numëron tashmë 81 deputetë. Disa muaj më parë, deputetja e Malësisë së Madhe, Marjana Koçeku, u largua nga grupi parlamentar socialist, duke iu bashkuar protestave në shesh. Me përjashtimin e Spiropalit, socialistët humbasin edhe një votë në grupin e tyre parlamentar. PS-ja vijon të kontrollojë shumicën e thjeshtë në Kuvend, por për të arritur pragun e 84 votave, pa mbështetjen e deputetëve të tjerë, i nevojiten të tria votat e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Në këto kushte, çdo mungesë apo abstenim brenda grupit socialist ose atij socialdemokrat mund të pengojë miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicën e cilësuar prej tri të pestash.
Si erdhi vendimi për përjashtim?
Vendimi për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i PS-së vjen pas përplasjeve të fundit brenda mazhorancës dhe qëndrimeve publike të deputetes.Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Edi Rama kërkoi përjashtimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat e partisë, kërkesë që kundërshtuan Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko.
Asambleja nuk e hodhi kërkesën në votim, ndërsa sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, sqaroi më pas se të dy do të largoheshin nga forumet drejtuese, por do të mbeteshin anëtarë të partisë.
Më 21 nëntor, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama iu referua sërish Spiropalit dhe Ndrecës, duke deklaruar se nuk kishin më vend në familjen politike socialiste.
“Të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, deklaroi Rama. Nga ana tjetër, Spiropali reagoi duke u shprehur:“Sikur ma prenë kokën, por më dalin shtatë të tjera”.









