PD paraqet 28 propozime për buxhetin, ja çfarë kërkon

Facebook
WhatsApp

Mes kërkesave kryesore është vendosja e minimumit jetik 20,000 lekë në muaj, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.

Deputetët e grupit të Partisë Demokratike, këtë të mërkurë kanë paraqitur 28 amendamente për buxhetin 2027 dhe paketën fiskale. ‘‘Ato synojnë të shndërrojnë buxhetin nga financim për korrupsion në financim për shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha kreu i grupit, Gazment Bardhi.

Mes kërkesave kryesore është vendosja e minimumit jetik 20,000 lekë në muaj, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Demokratët propozojnë rritje pagash prej 30–50% për administratën publike, rritje prej 30% për pagat në arsim dhe shëndetësi, si dhe dhënien e pagës së 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar.

Për pensionistët kërkohet rritje e pensioneve dhe vendosje e një bonusi që garanton rritje reale dhe të përhershme. Përcaktohet gjithashtu dyfishim i fondit për rimbursimin e barnave.

Në pjesën fiskale, PD propozon uljen e TVSH-së në 6% për ujin dhe për energjinë elektrike, ruajtjen e normës së përgjithshme të TVSH-së në 20% dhe anulimin e planit për ta rritur në 21%. Opozita propozon vendosjen e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, anulimin e rritjes së taksës vjetore të automjeteve dhe të asaj mbi dividendin.

Amendamentet synojnë gjithashtu pezullimin e kontratave të partneritetit publik-privat që financohen nga buxheti i shtetit, përfshirë pezullimin e pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe ndërprerjen e financimit të koncesionit të laboratorëve. Parashikohet shkurtim 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.

Shtesat përfshijnë trefishimin e subvencioneve për bujqësinë, trefishimin e fondeve për ish-të përndjekurit politikë, alokimin e 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve nga zhvlerësimi i euros dhe 5 miliardë lekëve për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.

Për pasojat e përmbytjeve kërkohen nga 1 miliard lekë për Shkodër dhe Lezhë. PD propozon gjithashtu rritje me 50% të transfertës së pakushtëzuar për pushtetin vendor, financimin e kërkimit shkencor në 0.1% të PBB-së dhe realizimin e dy projekteve infrastrukturore në qarkun e Beratit.

Lista e propozimeve:

  1. Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
  2. Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
  3. Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
  4. Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
  5. Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
  6. Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
  7. Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
  8. Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
  9. Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
  10. Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
  11. Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
  12. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
  13. Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
  14. Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
  15. Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
  16. Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
  17. Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
  18. Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
  19. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
  20. Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
  21. Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
  22. Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
  23. Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
  24. Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
  25. Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
  26. Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
  27. Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
  28. Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick