Autoserviset, instaluesit e sistemeve elektrike, ofruesit e shërbimeve inxhinierike apo të konsulencës financiare mund të jenë ndër veprimtaritë për të cilat do të kërkohet sigurimi i përgjegjësisë profesionale, nëse gabimet gjatë ofrimit të shërbimeve mund t’u shkaktojnë dëme të konsiderueshme klientëve.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka miratuar kriteret për identifikimin e veprimtarive me rrezik të lartë, për të cilat autoritetet mund të vendosin detyrimin për sigurim apo garanci financiare.
Udhëzimi përcakton se objekt i sigurimit mund të jenë veprimtaritë ku gabimet profesionale shkaktojnë dëmtime të rënda fizike, humbje të konsiderueshme monetare apo ulje të vlerës së pasurisë së klientit.
Në këtë kategori mund të përfshihen shërbimet e riparimit të automjeteve, instalimet elektrike, instalimet e gazit, projektimi dhe mbikëqyrja e ndërtimeve, mirëmbajtja e ashensorëve, si dhe shërbime të caktuara të konsulencës financiare, kontabilitetit apo teknologjisë së informacionit.
Një riparim i gabuar i automjetit, një instalim elektrik që shkakton zjarr apo një gabim në projektimin e një objekti mund të sjellin dëme financiare që tejkalojnë ndjeshëm vlerën e shërbimit të paguar nga klienti.
Udhëzimi nuk përcakton një listë të mbyllur profesionesh, por ia ngarkon autoriteteve përgjegjëse identifikimin e veprimtarive për të cilat sigurimi duhet të bëhet i detyrueshëm.
Shuma minimale e sigurimit do të përcaktohet në varësi të numrit të personave të ekspozuar ndaj rrezikut, vlerës së pasurive që mund të dëmtohen, historikut të dëmeve dhe kostos së sigurimit në treg.
Mbulimi mund të përfshijë edhe dëmet e shkaktuara nga punonjësit apo nënkontraktorët e biznesit. Për shërbimet ku pasojat e gabimeve profesionale mund të shfaqen me vonesë, parashikohet mundësia e zgjatjes së mbulimit edhe pas përfundimit të veprimtarisë.
Bizneset nuk do të detyrohen të paguajnë për sigurime të dyfishta nëse disponojnë tashmë një policë që mbulon në mënyrë të mjaftueshme të njëjtin rrezik.









