Sipas medias britanike Sunday Times, Kupa e Botës 2026 po kthehet gjithnjë e më shumë në një spektakël luksi për miliarderë, biznesmenë dhe VIP-a, ndërsa tifozët e zakonshëm përballen me çmime rekord të biletave. Gazeta thekson se Botërori në SHBA, Kanada dhe Meksikë po konsiderohet ngjarja sportive më fitimprurëse dhe më e shtrenjtë në histori, duke thelluar ndarjen mes futbollit popullor dhe elitës financiare.
Jashtë stadiumeve të Kupës së Botës 2026, mijëra tifozë presin në radhë për birra dhe suvenire, ndërsa brenda ambienteve VIP rrjedh shampanja, shërbehen specialitete luksoze dhe biznesmenë, miliarderë e të famshëm shijojnë ndeshjet në kushte ekskluzive.
Turneu më i madh i futbollit në botë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një spektakël për të pasurit. Kupa e Botës 2026, e organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, po konsiderohet si ngjarja sportive më fitimprurëse dhe më e shtrenjtë në histori.
Çmimet e larta të biletave dhe paketave të mikpritjes kanë bërë që shumë tifozë të zakonshëm ta kenë të pamundur pjesëmarrjen, ndërsa FIFA po fokusohet gjithnjë e më shumë te klientët me të ardhura shumë të larta.
Kompania “On Location”, partneri zyrtar i FIFA-s për mikpritjen VIP, ka shitur mbi gjysmë milioni paketa luksoze. Këto oferta përfshijnë vende premium në stadium, sallone private, ushqime e pije të nivelit të lartë, hyrje të veçanta dhe, në disa raste, edhe akses në fushë gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut.
Sipas Stuart McNeill, drejtues i një kompanie britanike concierge për klientë super të pasur, gjashtë bileta për finalen në Neë Jersey janë shitur për plot 4 milionë dollarë një klienti nga Lindja e Mesme. Ai thotë se kërkesa është aq e madhe sa miliarderët po konkurrojnë për suitat më të mira në stadiume.
“Nuk bëhet më fjalë vetëm për futbollin. Pjesëmarrja në Kupën e Botës është bërë simbol statusi”- shprehet ai. Diferenca me Botërorin e Katarit 2022 është e dukshme. Atëherë bileta më e shtrenjtë për finalen kushtonte rreth 1.600 dollarë.
Sot, vetëm një vend VIP për disa ndeshje të fazës së grupeve mund të arrijë 4.500 dollarë, ndërsa paketat për finalen nisin nga mbi 16.000 dollarë dhe shkojnë deri në dhjetëra mijëra dollarë për person. Agjencitë e udhëtimeve luksoze raportojnë se klientët kërkojnë gjithnjë e më shumë avionë privatë, transferta me helikopter, hotele me pesë yje dhe takime ekskluzive me ish-yje të futbollit.
Në New York, disa hotele kanë krijuar paketa që arrijnë deri në 1 milion dollarë, duke përfshirë shërbime personale 24 orë në ditë, udhëtime me jaht dhe bileta VIP për ndeshjet. Nga situata po përfiton edhe biznesi i aviacionit privat.
Në Dallas, kompanitë e charter-it raportojnë rritje të ndjeshme të fluturimeve gjatë turneut dhe po punësojnë staf shtesë për të përballuar kërkesën. Ndërkohë, FIFA ka futur për herë të parë sistemin e çmimeve dinamike, ku vlera e biletave ndryshon sipas kërkesës së tregut.
Organizata pret të gjenerojë rreth 13 miliardë dollarë të ardhura gjatë ciklit katërvjeçar, pothuajse dyfish më shumë se në periudhën e mëparshme. Megjithatë, kjo strategji ka nxitur kritika. Autoritetet në New York dhe New Jersey kanë nisur hetime mbi praktikat e shitjes së biletave, ndërsa shumë tifozë ankohen se futbolli po largohet nga njerëzit e zakonshëm.
Brenda stadiumeve, kontrasti është i dukshëm. Në sallonet VIP me dysheme mermeri, bare shampanje dhe pamje panoramike nga fusha, drejtues kompanish dhe klientë të pasur ndjekin ndeshjet në rehati maksimale. Jashtë tyre, tifozët e zakonshëm përballen me çmime gjithnjë e më të larta dhe mundësi të kufizuara.
Kupa e Botës ka qenë historikisht festa globale e futbollit, ku pasioni bashkonte njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore. Por Botërori 2026 po jep një mesazh tjetër: në epokën e sportit si biznes miliardash, vendet më të mira nuk i fitojnë domosdoshmërisht tifozët më të zjarrtë, por ata që kanë mundësi të paguajnë më shumë. Në këtë realitet të ri, futbolli mbetet në qendër të spektaklit, por luksi dhe paraja po bëhen gjithnjë e më shumë protagonistët kryesorë.









