Furgoni i linjës së Beratit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, për pasojë 15 persona janë plagosur ndërsa 2 persona ka mbetur të vdekur.
Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në autostradën Tiranë-Durrës. Furgoni i linjës së Beratit ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, për pasojë 15 persona janë plagosur ndërsa shoferi dhe nje pasagjer kane mbetur te vdekur.
Për shkak se furgoni ka përfunduar i përmbysur në kanal disa prej pasagjerëve kanë mbetur të bllokuar brenda mjetit pas aksidentit. Për këtë arsye është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e tyre nga furgoni.
Gjithashtu në vendngjarje kanë mbërritur disa autoambulanca, të cilat kanë transportuar në spital disa prej të plagosurve për të marrë ndihmën mjekësore. Në furgon bëhet me dije se ka pasur edhe fëmijë.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe shkaqet që kanë çuar në daljen e furgonit nga rruga. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Nga informacionet paraprake ende të pa konfirmuara nga policia, shkak për humbjen e kontrollit të mjetit dyshohet të ketë qenë gjendja shëndetësore e shoferit. Ky i fundit dyshohet se ka pësuar arrest kardiak gjë që ka sjellë më pas humbjen e kontrollit të mjetit dhe përplasje e tij me mbrojtësen anësore të autostradës. Shoferi mësohet se është një nga viktimat.









