Një aksident ka ndodhur paraditen e sotme në aksin kombëtar Berat-Lushnjë, pranë fshatit Barbullinjë. Mësohet se një autobus i linjës Berat-Tiranë është përplasur me një automjet tip BMW.
Si pasojë e përplasjes, disa pasagjerë të autobusit, kryesisht turistë të huaj, kanë mbetur të lënduar lehtë, ndërsa drejtuesi i BMW-së është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se automjeti BMW i ka prerë rrugën autobusit. Drejtuesi i këtij të fundit ka tentuar të shmangë përplasjen duke frenuar, por nuk ka mundur ta parandalojë aksidentin.
Për shkak të goditjes, BMW-ja ka përfunduar në murin mbrojtës të një biznesi që ndodhet pranë rrugës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, pasagjerët e autobusit janë në pritje të një tjetër mjeti të siguruar nga agjencia e transportit, për të vijuar udhëtimin drejt destinacionit të tyre.









