Një 31-vjeçar humbi jetën pasi u zu poshtë nga një masiv dheu gjatë hapjes së një pusi në Poliçan, ndërsa në Vlorë një 78-vjeçar ndërroi jetë pasi u përplas nga një automjet teksa lëvizte me biçikletë.
Dy ngjarje të rënda me pasojë humbjen e jetës janë regjistruar këtë të shtunë në Poliçan dhe Vlorë, ku një 31-vjeçar dhe një 78-vjeçar kanë ndërruar jetë në rrethana të ndryshme. Në fshatin Zhitom të Poliçanit, një 31-vjeçar humbi jetën gjatë punimeve për hapjen e një pusi uji, pasi u zu poshtë nga një masiv dheu që u shkëput papritur.
Sipas informacionit të policisë, në vendngjarje po kryheshin punime me fadromë në tokën e viktimës, ndërsa mjeti drejtohej nga një 39-vjeçar banues në Berat. Si pasojë e shembjes së masivit të dheut, i riu pësoi plagë të rënda dhe humbi jetën.
Specialistët e Policisë së Poliçanit kanë referuar materialet në Prokurorinë e Beratit ndaj 39-vjeçarit për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa grupi hetimor vijon verifikimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e aksidentit në punë.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua mëngjesin e sotëm në Vlorë, pranë zonës së ish-Stacionit të Trenit. Një 78-vjeçar, me inicialet F. S., po lëvizte me biçikletë kur u përplas nga një automjet që drejtohej nga një 57-vjeçar, banues në qytetin e Vlorës. I moshuari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Pas aksidentit, specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Grupet hetimore në të dy qytetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore përkatëse.









