Albin Kurti reagon për herë të parë për protestat në Shqipëri

Facebook
WhatsApp

 “Të tregojmë se dimë të ndërtojmë demokraci, dhe jo t’i përkulemi oligarkisë”, deklaroi kryeministri i Kosovës duke u pozicionuar qartë me protestuesit dhe kundër qeverisë Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për herë të parë lidhur me situatën politike në Shqipëri që gjatë javëve të fundit është trazuar edhe nga protestat e mëdha dhe të dhunshme studentore.

Kurti tha se zhvillimet në Shqipëri po i përcjell me shqetësim, kujdes dhe përgjegjësi, duke theksuar rëndësinë që shqiptarët të ndërtojnë drejtësi dhe demokraci të qëndrueshme.

“Shqipërinë e duam gjithmonë. Ajo është pjesë e pandashme e jona. Zhvillimet po i përcjellim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi”, deklaroi Kurti.

“Veçanërisht të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jetojnë me dinjitet nga puna, të jenë palë në vendime dhe ta kenë shtetin si mbështetje. Rininë dhe atë studentore i kemi shumë të çmuara. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen e ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, tha Kurti.

Ai tha se është jetike që shqiptarët t’i dëshmojnë vetes se janë të aftë të ndërtojnë drejtësi, demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe një qeverisje që nuk i nënshtrohet oligarkisë.

“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”, ka thënë ai.

Gjatë fjalës së tij, Kurti është ndalur edhe te zërat që kanë tentuar ta lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me protestat që po zhvillohen në Shqipëri.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese i kemi dalë në ballë vetë dhe nuk kemi qëndruar të fshehur. Nuk e kemi përdorur taktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës”, tha Kurti.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick