Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt kundër pezullimit të afateve të paraburgimit. Kryebashkiaku i Tiranës mbetet në burg, ndërsa më 15 shtator Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë masën e sigurisë.
Erion Veliaj mbetet në paraburgim pas një vendimi të ri të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Kryebashkiaku i Tiranës kishte ankimuar vendimet që pezullonin afatet e paraburgimit, por Apeli vendosi të mos i pranonte kërkesat e tij.
Dy seanca u zhvilluan këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe u shqyrtuan nga gjyqtarja Saide Dollani. Çështja lidhet me pezullimin e afateve të paraburgimit gjatë procesit gjyqësor ndaj Veliajt.
Kur një gjykatë pezullon këto afate, koha gjatë së cilës procesi është shtyrë për arsye të caktuara nuk llogaritet në kufirin maksimal të paraburgimit.
Mbrojtja e Veliajt ka kundërshtuar këtë mënyrë llogaritjeje, duke argumentuar se kryebashkiaku nuk duhet të mbajë pasojat e shtyrjeve që lidhen edhe me të pandehur të tjerë në proces.
Avokati Plarent Ndreca e ka cilësuar të padrejtë zgjatjen e paraburgimit për arsye që, sipas tij, nuk lidhen drejtpërdrejt me Veliajn.
Vendimi i sotëm nuk është ende vendimi përfundimtar mbi vetë masën “arrest në burg”. Çështja kryesore për lirinë e Veliajt pritet të shqyrtohet më 15 shtator nga Gjykata e Lartë.
Kjo seancë vjen pasi Gjykata Kushtetuese riktheu për rishqyrtim çështjen e masës së sigurisë, duke kërkuar që Gjykata e Lartë të arsyetojë nëse mbajtja e Veliajt në burg është proporcionale edhe në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.
Katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë vlerësuar se masa “arrest në burg” është joproporcionale, pasi i pamundëson Veliajt ushtrimin efektiv të mandatit.
Deri në një vendimmarrje tjetër, megjithatë, masa ndaj tij mbetet në fuqi. Veliaj ndodhet në paraburgim prej 19 muajsh, ndërsa ditët e fundit ka rifilluar ushtrimin e disa kompetencave të kryetarit të Bashkisë nga institucioni i vuajtjes së paraburgimit në Durrës.
Ai ka firmosur listëpagesat e punonjësve të Bashkisë, fonde për çerdhet dhe kopshtet, financimin e aboneve falas për pensionistët dhe ka pranuar dorëheqjet e disa drejtuesve të institucionit.
Tashmë vëmendja zhvendoset te 15 shtatori, kur Gjykata e Lartë do të duhet të vendosë nëse masa e arrestit në burg ndaj Veliajt do të qëndrojë në fuqi, do të zëvendësohet me një masë më të lehtë apo çështja do të rikthehet për rishqyrtim.









