SPAK ka kërkuar dhe GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe pezullimin e saj nga detyra. Në të njëjtën dosje janë kryer kontrolle edhe ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Një zhvillim i paprecedentë prek drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK.
Krahas masës së sigurisë, ndaj Hysenit është vendosur edhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës. Hyseni drejton SHISH-in që prej vitit 2023. Masa ndaj saj krijon një precedent për institucionin, pasi drejtuesja e shërbimit sekret përfshihet drejtpërdrejt në një procedim të SPAK dhe përballet me një masë sigurie personale.
Nuk dihet nëse masat e vendosura nga GJKKO do të pranohen ose jo nga Qeveria, pasi drejtuesi i SHISH-it emërohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti.
Përpara se të merrte drejtimin e SHISH-it, Vlora Hyseni kishte ndërtuar pjesën kryesore të karrierës së saj në strukturat e inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë.
Ajo iu bashkua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në vitin 2010, ndërsa në shkurt 2019 u emërua zëvendësdrejtoreshë e AKI-së. Nga dhjetori 2020 deri në prill 2021 ushtroi edhe detyrën e drejtoreshës së Agjencisë.
Pas largimit nga AKI, Hyseni kaloi në Tiranë. Nga shtatori 2021 ajo u angazhua në kabinetin e kryeministrit Edi Rama si këshilltare për Sigurinë Kombëtare, detyrë që e mbajti deri në mars 2023.
Rama i propozoi Presidentit emërimin e Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke zëvendësuar Helidon Bendon.
Por hetimi nuk duket se ndalet te SHISH. Nga informacionet e deritanishme rezulton se SPAK po kryen veprime edhe ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të tjerë. Mes tyre është ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Për Prodën, GJKKO ka autorizuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal. Me vendim të së njëjtës gjykatë janë kryer kontrolle edhe në banesa të personave të tjerë.
Pikërisht këtu mbetet edhe pjesa kryesore që SPAK nuk e ka bërë ende publike. Nuk dihet zyrtarisht se cila vepër penale po hetohet dhe çfarë faktesh konkrete kanë çuar prokurorët te drejtuesja e SHISH dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit.
Emri i Vlora Hysenit është përmendur më herët në raportimet mediatike për hetimet që lidhen me Ergys Agasin.









