Atentati në Sarandë, dyshime për vrasës me pagesë!

Facebook
WhatsApp

Hetuesit kanë sekuestruar gëzhojat e kalibrit 9 mm dhe po analizojnë kamerat e sigurisë në qytet. Rreth 20 persona janë marrë në pyetje, ndërsa një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga persona të paguar.

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi për atentatin e rëndë që tronditi Sarandën mëngjesin e së dielës, ku u ekzekutua 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat tashmë janë pjesë e provave materiale që po analizohen në kuadër të hetimit.

Paralelisht, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonën e ish-agjencisë në momentin kur ndodhi atentati. Dëshmitë e tyre po krahasohen me provat e mbledhura në vendngjarje dhe me pamjet filmike.

Policia ka sekuestruar të gjitja kamerat e sigurisë në qytet, me qëllim që të rindërtojnë itinerarin e autorëve para dhe pas atentatit.

Myrtaj u qëllua mëngjesin e 20 shtatorit në zonën e ish-agjencisë, në qendër të Sarandës. Sipas të dhënave të deritanishme, dy persona që lëviznin me motor dhe mbanin skafandra iu afruan 44-vjeçarit dhe hapën zjarr. Myrtaj tentoi të largohej, por u qëllua për vdekje.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili ishte kalimtar i rastit. Ai u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Hetuesit po verifikojnë disa pista për motivin e vrasjes. Një prej tyre është mundësia që atentati të jetë kryer nga vrasës me pagesë, por kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk ka ende një konfirmim zyrtar për motivin apo autorët.

Në fokus janë edhe konfliktet e mëparshme ku ishte përfshirë viktima. Artan Myrtaj ishte proceduar pas një ngjarjeje të korrikut 2025, ku u plagosën Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në një konflikt të lidhur me një pronë në zonën bregdetare.

Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri në këto momente, nuk është bërë publik identiteti i ndonjë personi të dyshuar apo të arrestuar për ekzekutimin.

Hetuesit po punojnë për të zbardhur itinerarin e autorëve, armën e përdorur, motivin e atentatit dhe personat që mund të kenë organizuar apo ndihmuar në realizimin e tij.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick