Sipas të dhënave të bëra publike, Shqipëria ka aktualisht vetëm 6 qendra publike rezidenciale për të moshuarit, me kapacitet prej 330 vendesh, ndërsa mbi 60 mijë të moshuar jetojnë vetëm. Në këtë kontekst, nevojat për strehim dhe kujdes janë më të mëdha se kapacitetet ekzistuese.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, inspektoi sot Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku u njoh nga afër me kushtet e jetesës së pensionistëve dhe problematikat me të cilat përballet ky sektor. Pas inspektimit, Shabani propozoi që pasuritë e konfiskuara nga SPAK të vihen në dispozicion të shërbimeve sociale, duke u kthyer në shtëpi përkujdesjeje për të moshuarit.
“Vetëm këtë vit SPAK ka konfiskuar 2 milionë euro pasuri të krimit dhe korrupsionit. Institucionet publike mund t’i vënë këto prona dhe pasuri në shërbim të të moshuarve”, deklaroi Shabani.
Sipas tij, shteti zotëron 63 ndërtesa të konfiskuara nga krimi, përfshirë hotele, vila dhe apartamente, të cilat mund të përshtaten për shërbime sociale.
Gjatë inspektimit, Avokati i Popullit konstatoi gjithashtu mungesë të stafit mjekësor dhe infermieror, si dhe mungesë të mjediseve të specializuara për trajtimin e të moshuarve me probleme të rënda shëndetësore.









