Vishkulli ka arritur të shpëtojë syrin, ndërsa tashmë ka nisur një fazë të vështirë dhe të gjatë rikuperimi, me synimin për të përmirësuar shikimin.
Ismail Morina, i njohur për ngritjen e dronit me flamurin me simbole patriotike shqiptare mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri më 14 tetor 2014, ka vizituar Erjon Vishkullin në spitalin ku po merr trajtim në Romë.
Vishkulli mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së zhvilluar tetë ditë më parë në Tiranë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje tejet delikate në kryeqytetin italian. Ai u transportua me urgjencë drejt Romës me një avion charter, të vënë në dispozicion nga shteti shqiptar.
Gjatë vizitës, Morina i ka dhuruar Vishkullit një fanellë me flamurin që u valëvit mbi stadiumin e Beogradit në atë mbrëmje të 14 tetorit 2014.
Krahas dhuratës, ai ka lënë edhe një pusullë me një mesazh simbolik, ku shkruan:
“Për autoktonin Erjon Vishkulli. Rroftë shpirti i shqiptarit. Përshëndetje fitores, Zoti është shqiptar”.
Ndërkohë, sa i përket gjendjes shëndetësore, Vishkulli ka arritur të shpëtojë syrin, ndërsa tashmë ka nisur një fazë të vështirë dhe të gjatë rikuperimi, me synimin për të përmirësuar shikimin.









