Bashkitë dështojnë me investimet, Tirana në krye

Facebook
WhatsApp

Pushteti vendor në vendin tonë vuan nga një paaftësi kronike për të kryer një nga funksionet themelore, investimet kapitale.

Nevojat për infrastrukturë, rrugë dhe furnizim me ujë janë akute në të gjithë vendin, sidomos në zonat rurale, por bashkitë vijojë të “djegin” miliona euro investime çdo vit për shkak të paaftësisë për ti përdorur ato.

Të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 8 mujorin e vitit aktuale ishte realizuar vetëm 20.7 për qind e planit vjetor të investimeve me një shumë prej 11,9 miliardë lekës rreth 128.5 milionë eurosh nga 57,6 miliardë lekë (620 mln euro) që është plani vjetor. Kjo do të thotë se 80 për qind e fondit ose 491 milionë euro do të shpenzohen për 4 muaj.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se diferencat mes bashkive janë të konsiderueshme, ku Kamza dhe Lezha kanë nivele relativisht të larta realizimi në krahasim me të tjerat, ndërsa bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi dhe ato bregdetare si Vlora dhe Himara kanë shpenzuar vetëm një pjesë të vogël të fondeve të planifikuara.

Tirana, buxhetin më të madh, por realizim vetëm 14%

Bashkia e Tiranës ka buxhetin më të madh të investimeve vendore, me rreth 16.32 miliardë lekë të planifikuara. Megjithatë, deri në gusht, shpenzimet faktike arrinin në vetëm 2.29 miliardë lekë, ose 14% të totalit. Në vlerë absolute, Tirana renditet e para për shpenzimet e realizuara, por ritmi i realizimit është ndjeshëm më i ulët se mesatarja e bashkive.

Edhe bashkitë e tjera me buxhete të mëdha paraqesin nivele të ulëta realizimi. Himara ka shpenzuar 821.6 milionë lekë nga 7.74 miliardë lekë të planifikuara, ose 10.6%. Durrësi ka realizuar 646.3 milionë lekë nga 5.17 miliardë lekë, me një normë realizimi prej 12.5%.

Në Vlorë, realizimi është edhe më i ulët, në rreth 10%, me 399 milionë lekë të shpenzuara nga afro 4 miliardë lekë të planifikuara. Ndërkohë, Shkodra ka realizuar vetëm 9.1% të buxhetit të investimeve, ndërsa Korça vetëm 6.8%.

Kamza dhe Lezha kryesojnë për investimet

Në ndryshim nga bashkitë e tjera të mëdha, Kamza ka nivelin më të lartë të realizimit mes bashkive. Nga 2.1 miliardë lekë të planifikuara, Kamza ka shpenzuar 1.36 miliardë lekë, ose 64.9% të buxhetit gjatë 8 mujorit..

Pas saj renditet Lezha, me realizim prej 51.6%, ndërsa Kuçova ka shpenzuar 50.3% të fondeve të planifikuara. Nivele relativisht të larta regjistrohen edhe në Cërrik, Malësi të Madhe, Sarandë dhe Bulqizë. Projekte të mëdha vijojnë pa shpenzime të regjistruara

Të dhënat tregojnë gjithashtu se shumë projekte investimesh, për të cilat janë parashikuar fonde në buxhet, nuk kanë regjistruar shpenzime deri në gusht.

Në Bashkinë e Tiranës, për investimet në ndërtimin e banesave sociale janë parashikuar 1.7 miliardë lekë, por realizimi i regjistruar është zero.

Po kështu, një zë për shtesën e kontratës së godinës së Teatrit të Tiranës, me buxhet rreth 445 milionë lekë, rezulton pa shpenzime të regjistruara.

Në Durrës, një zë për rikonstruksionin dhe riparimin e banesave individuale, me buxhet 511 milionë lekë, rezulton pa realizim financiar. E njëjta situatë konstatohet për rindërtimin e godinës nr. 32, me buxhet rreth 380 milionë lekë, dhe rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës, me fond rreth 331 milionë lekë.

Në Himarë, ndërtimi i shëtitores së Borshit, LOT i, me buxhet rreth 459 milionë lekë, rezulton gjithashtu pa shpenzime të regjistruara në zërin përkatës.

Megjithatë, realizimi financiar zero nuk do të thotë domosdoshmërisht se punimet nuk kanë nisur. Ai tregon se deri në datën e raportimit nuk janë regjistruar pagesa për zërin përkatës buxhetor.

Realizimi i investimeve është një tregues i rëndësishëm i kapacitetit të administratës vendore për t’i kthyer fondet e planifikuara në projekte konkrete infrastrukturore dhe shërbime për qytetarët.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick