Bashkitë e djathta letër KiE: Pezulloni reformën territoriale të PS!

Facebook
WhatsApp

Drafti i propozuar nga PS, i cili u miratua në Komisionin e Ligjeve me votat e socialistëve, parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësitë vendore më të mëdha fqinje.

Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i është drejtuar Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore ka bërë një kërkesë për ndërhyrje urgjente, duke kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procesi për ndryshimin e hartës administrative-territoriale të Shqipërisë.

Shoqata pretendon se procedurat e ndjekura nga mazhoranca shkelin parimet e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe nuk garantojnë konsultim real me komunitetet që preken nga riorganizimi.

Reforma e propozuar nga Partia Socialiste pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa opozita dhe një pjesë e komuniteteve kanë shprehur kundërshtime ndaj ndryshimeve të propozuara. Sipas shoqatës, procesi është zhvilluar në mënyrë të njëanshme dhe pa marrë në konsideratë qëndrimet e të zgjedhurve vendorë dhe qytetarëve.

Në qendër të shqetësimit janë 15 bashki që, sipas propozimit për riorganizimin territorial, mund të preken nga ndryshimi i kufijve apo shkrirja. Shoqata argumenton se banorët e këtyre njësive dhe përfaqësuesit e tyre vendorë nuk janë përfshirë në mënyrë të mjaftueshme në një vendimmarrje që do të ndikojë drejtpërdrejt organizimin e pushtetit vendor.

Në letrën drejtuar institucioneve europiane, shoqata kundërshton edhe mënyrën se si është proceduar në Komisionin e Ligjeve.

“Në datën 5 tetor, pjesa e majtë e Komisionit të Ligjeve, në vijim të qëndrimit të tij intransigjent, ka kaluar projektligjin e njëanshëm të hartuar nga Partia Socialiste, duke mos lejuar paraqitjen e projektligjit alternativ të opozitës shqiptare. Në datën 8 tetor, Parlamenti shqiptar do të marrë vendim me shumicë të cilësuar votash, të cilën PS e plotëson”, thuhet në letrën e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë.

Shoqata kërkon që Këshilli i Europës dhe Kongresi i Autoriteteve Vendore të reagojnë përpara se Kuvendi të marrë vendimin përfundimtar, duke argumentuar se ndërhyrja pas miratimit të reformës do të ishte më e vështirë dhe mund të mos parandalonte pasojat që mund të krijohen për komunitetet e prekura.

Sipas saj, procesi nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje politike mes mazhorancës dhe opozitës, pasi ndryshimi i kufijve të njësive vendore prek drejtpërdrejt mënyrën e përfaqësimit dhe organizimit të komuniteteve.

Në dokumentin drejtuar institucioneve europiane, shoqata thotë se ka paraqitur edhe materiale që, sipas saj, dëshmojnë mungesën e konsultimit me qytetarët dhe këshilltarët vendorë në 15 bashkitë që preken nga propozimi.

Sipas të zgjedhurve vendorë, ndryshimi i kufijve administrativë nuk duhet të bëhet pa një proces të plotë konsultimi dhe pa respektuar detyrimet kushtetuese dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Shoqata e sheh ndërhyrjen e institucioneve të Këshillit të Europës si të nevojshme përpara se reforma të votohet në Kuvend, me argumentin se miratimi i saj do ta kthente procesin në një fakt të kryer.

Në këtë kuadër, të zgjedhurit vendorë paralajmërojnë se një riorganizim territorial i miratuar pa konsultim të gjerë mund të dëmtojë jo vetëm interesat e komuniteteve të prekura, por edhe standardet e demokracisë lokale dhe besueshmërinë e Shqipërisë në zbatimin e parimeve europiane të vetëqeverisjes vendore.

“Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë dëshiron ta theksojë edhe një herë se nuk i kërkon Kongresit të mbështesë apo të kundërshtojë një alternativë politike për hartën territoriale të Shqipërisë. Ne do të sugjeronim që zëri i pushtetit vendor dhe i komuniteteve të mos anashkalohet në një vendimmarrje që do të ketë pasoja afatgjata për demokracinë lokale, organizimin territorial dhe jetën e qytetarëve.

Kërkojmë që procesi nëpërmjet të cilit përcaktohet e ardhmja territoriale e vendit të jetë transparent, gjithëpërfshirës, i bazuar në evidencë dhe në përputhje me standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe konsensusit”, thuhet në letrën drejtuar Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore.

Drafti i Partisë Socialiste për Reformën Territoriale do të hidhet në votim në seancën plenare të 8 Tetorit, sikurse është paralajmëruar nga deputetët socialistë edhe më herët.

Drafti i propozuar nga PS, i cili u miratua në Komisionin e Ligjeve me votat e socialistëve, parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësitë vendore më të mëdha fqinje.

Reforma e propozuar nga PS është kundërshtuar fort nga opozita dhe nga komunitetet ku parashikohet të shkrihen bashkitë. Vala e protestave që shpërtheu në gjithë vendin, pasi drafti u bë publik, nuk e ka shqetësuar aspak mazhorancën, e cila i qëndron besnike draftit të saj.

Më 8 Tetor është paralajmëruar protestë nga opozita, në orën 10:00 paralelisht me seancën plenare. Kreu i PD-së Sali Berisha i bëri thirrje demokratëve dhe jo vetëm, të zbresin në shesh për të kundërshtuar reformën e propozuar nga Rama.

Por, për të miratuar pr/ligjin, mazhorancës i duhen 84 vota dhe dy deputetë socialistë, Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, kanë votuar dje kundër në mbledhjen e grupit të PS.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick