Kryedemokrati tha se “narkoshteti po shkërmoqet” dhe se sondazhet e fundit, për të cilat pretendon se janë kryer nga vetë Partia Socialiste, tregojnë një rënie të konsiderueshme të mbështetjes për mazhorancën. Sipas tij, se shifra mund të jetë edhe më e ulët nëse merret parasysh “koeficienti i frikës”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Partia Socialiste dhe qeveria po përballen me një rënie të ndjeshme të mbështetjes nga qytetarët.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha tha se “narkoshteti po shkërmoqet” dhe se sondazhet e fundit, për të cilat pretendon se janë kryer nga vetë Partia Socialiste, tregojnë një rënie të konsiderueshme të mbështetjes për mazhorancën.
Sipas Berishës, mbështetja për PS-në ka zbritur në 29 për qind, ndërsa ai pretendon se shifra mund të jetë edhe më e ulët nëse merret parasysh ajo që e quan “koeficienti i frikës”.
“Narkoshteti po shkërmoqet! Po degradon! Pollet e fundit të bëra nga PS kanë një rënie katastrofale. Partia e krimit është rrokullisur në shifrat e saj në 29 përqind. Edhe këto, po të heqësh koeficientin e frikës, zbret edhe më poshtë. Ky nuk është një poll i bërë nga opozita, po ky është poll i brendshëm i vetë partisë së krimit. Edi Rama vetë qëndron nën partinë. Se atyre u thotë u tërheq unë. Kjo ka ngjallur një alarm të jashtëzakonshëm”, tha Berisha.
Berisha, ka reaguar edhe ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për lumin Ibër, duke deklaruar se ujërat brenda territorit të Kosovës nuk mund të preken nga askush.
Reagimi vjen pas deklaratës së Vuçiçit, të raportuar në mediat serbe, se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e shoqëruar atë me një koment drejtuar shqiptarëve të Kosovës.
Çështja e Ibrit dhe e sistemit ujor ka rëndësi të veçantë për Kosovën. Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete dhe shërben edhe për ftohjen e termocentralit në Obiliq, një infrastrukturë kyçe për prodhimin e energjisë elektrike në vend.
Berisha e cilësoi qëndrimin e Vuçiçit si “destabilizues”, ndërsa theksoi se ujërat dhe lumenjtë që ndodhen në territorin e Kosovës nuk mund të përdoren si instrument presioni.
“Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush. Liqenet janë ndërtuar gjatë periudhës së Titos dhe nuk mund të trajtohen si pasuri që mund të përdoren sipas interesave të dikujt tjetër”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, përdorimi apo kërcënimi me përdorimin e burimeve ujore si mjet presioni bie ndesh me paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjithashtu, Berish përsëriti akuzat e forta politike ndaj kryeministrit Rama.
“Rama nuk mund t’i fshijë apo t’i justifikojë shërbimet antishqiptare që ka bërë. Ai ka vrarë votën e lirë dhe shpresën e qytetarëve, sepse ka kryer ‘gjenocid të butë’”, tha Berisha.
Kreu demokrat e akuzoi Ramën edhe për “akte të rënda tradhtie”.
“A mundet Rama të purifikohet nga aktet e rënda të tradhtisë? Jo, nuk mundet, sepse janë akte që cilësohen si ndër më të rëndat e tradhtisë”, deklaroi Berisha.









