Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare dhe nisjen e diskutimeve për përzgjedhjen e një kandidature të përbashkët për Tiranën.
Duke iu referuar pjesëmarrjes së qytetarëve dhe përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike në protestë, Berisha e cilësoi atë një bashkim të paprecedentë, që sipas tij duhet të shërbejë si model për bashkëpunimin opozitar.
“Protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Të ulemi në debat, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të nisë negociatat me synimin për të bashkuar të gjithë faktorët politikë dhe qytetarë që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës, pa kërkuar që ata të heqin dorë nga identitetet apo bindjet e tyre politike.
Sipas Berishës, pjesëmarrësit në protestë, pavarësisht përkatësive politike, kishin një qëllim të përbashkët: kundërshtimin e kryeministrit Rama dhe largimin e tij nga pushteti.
“Socialistët nuk shkuan aty për t’u bërë demokratë, as demokratët nuk shkuan aty për t’u bërë socialistë. Shkuan të gjithë aty kundër Edi Ramës, për largimin nga pushteti të Edi Ramës”, deklaroi ai.
overlay-clevercloseLogo
Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama një “rrezik ekzistencial” për vendin, duke kërkuar që partitë dhe lëvizjet opozitare të lënë mënjanë dallimet për të krijuar një front të përbashkët.
“Secili nga ne duhet të qartësohet, e konsideron Edi Ramën dhe regjimin e tij një rrezik ekzistencial apo jo?”, tha Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu pritshmëritë ndaj faktorit ndërkombëtar për zhvillimet politike në vend, duke pretenduar se mesazhi i partnerëve ndërkombëtarë për opozitën është bashkimi.
“Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni! Dhe ua kanë thënë: Bashkohuni si opozitë!”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha solli si shembull edhe lëvizjen protestuese në Serbi, duke argumentuar se bashkimi i grupeve me bindje të ndryshme politike mund të realizohet kur ekziston një objektiv i përbashkët.
Sipas tij, lëvizja në Serbi përfshin rryma të ndryshme që, pavarësisht dallimeve programore, janë bashkuar në kundërshtimin e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Megjithatë, Berisha pretendoi se Edi Rama përbën një rrezik më të madh për shqiptarët sesa Vuçiç për serbët, duke bërë edhe akuza për raportet e kryeministrit shqiptar me Serbinë.
Kreu i Partisë Demokratike përsëriti thirrjen për bashkëpunim mes forcave opozitare, duke theksuar se partia që ai drejton do të vazhdojë përpjekjet për realizimin e kësaj nisme.
“Unë ftoj të gjithë shqiptarët të konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë. Me durim, por ne shpresojmë se kjo agjendë do të ecë”, tha Berisha.









