Pavarësisht rezervave mbi reformën territoriale dhe mënyrën jokonsensuale të caktimit të datës së zgjedhjeve, që kanë në lidhje me procesin, kreu i PD tha sot se opozita do të dalë shumë shpejt me emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka njoftuar sot se ditën e shtunë, më 7 nëntor, do të zhvillojë një tjetër protestë.
Berisha tha se tubimi do të nisë në orën 12:00 dhe do të jetë protesta më e fuqishme që ka njohur vendi. Ashtu si më parë, Berisha tha se kjo protestë do të jetë në mbështetje të tubimeve që studentët po organizojnë tashmë prej disa javësh.
Megjithatë, vlen të theksohet se në protestën e fundit më 31 tetor, të rinjtë i larguan deputetët e Partisë Demokratike, duke i cilësuar po aq fajtorë sa qeveria, për kushtet në të cilat ndodhet vendi.
“Jam sot, para jush për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë në ora 12.00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore. Revolta studentore përbën, në fakt, përballjen më të ashpër dhe më të suksesshme të rinisë shqiptare me narkoshtetin, narkoregjimin, padrinon, Edi Rama.
Rrugët dhe sheshet e Tiranës janë dëshmitarë të akteve të trimërisë dhe guximit më të madh që kanë parë ndonjëherë, por edhe të barbarive të qëndrimeve shtazarake, të narkobanditëve të Edi Ramës, të cilët mbrojnë një kufomë politike në grahmat e fundit. Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës, është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve.
Ndaj dhe, e shtuna, është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre. Përkrah bijve dhe bijave të qytetarëve të këtij vendi, përkrah trimave, guximtarëve, që po bëjnë atë të cilën duhet ta bëjë çdo qytetar. Studentët, gjimnazistat, kanë fituar një simpati të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ju e dini, këto muajt e fundit, Shqipëria ka qenë shumë shpesh në kryetitujt e mediave të botës, por raportimet e revoltës studentore i kalojnë përkrah mbështetja, simpatia dhe paraqitja të gjitha zhvillimet e tjera në Europë dhe në botë. Ndaj dhe edhe një herë ftoj demokratët dhe demokratet të shtunën, në një lloj si e shtuna që kaloi, në të cilën mbështetën fuqishëm, të bashkohemi.
Ftoj çdo qytetar, askush nuk fiton më shumë, shqiptarët e të gjitha bindjeve të bashkohen kundër kësaj të keqeje të përbashkët, të madhe, që e ka emrin Edi Rama. Ju e dëgjuat, një gjeneratë e tërë e ka të vështirë të kuptojë se çfarë do të thotë Edi Rama kthehet në genin e etërve të tij mizor, sepse ata nuk kanë përjetuar, kanë qenë fatlumë, nuk kanë përjetuar një ditë të vetme apo kanë qenë fëmijë të hershëm gjatë diktaturës komuniste.
Por e vërteta është se ky bastard i bllokmenëve të kuq, po shpalos çdo ditë psikologjinë e tyre çnjerëzore, po shpalos çdo ditë urrejtjen për kundërshtarin politik dhe urrejtjen për qytetarët e thjeshtë. Bashkimi i të gjitha forcave, përpjekjeve, kundër kësaj të keqeje, është rruga më e sigurt e largimit sa më shpejt të saj.”- tha Berisha.
Në një kohë që presidenti i vendit Bajram Begaj ka dekretuar datën e zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në 9 Maj, Partia Demokratike e cilëson atë një noter të qeverisë së Edi Ramës, për shkak se ka kaluar pa rezerva edhe Reformën e re Territoriale. Kjo reformë redukton në mënyrë të ndjeshme numrin e bashkive në vend, ndërkohë që Partia Demokratike ka paralajmëruar që do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Por pavarësisht këtyre rezervave, që kanë në lidhje me procesin, kreu i PD tha sot se opozita do të dalë shumë shpejt me emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale. Ndërkohë që Berisha nuk dha një përgjigje nëse emrat e kandidatëve do të zgjidhen nga strukturat drejtuese, apo përmes procesit të primareve, një koncept i futur prej tij, pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike.









