Nga hetimet paraprake dyshohet se sistemi i frenimit mund të ketë dështuar ose drejtuesi i mjetit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të një problemi shëndetësor. Pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga grupi hetimor, tregojnë se kamioni nuk ka shfaqur shenja frenimi përpara përplasjes.
Dy punëtorët egjiptianë që humbën jetën në aksidentin fatal në Unazën Lindore të Tiranës dyshohet se mund të jenë përballur me një problem teknik të mjetit ose një kolaps shëndetësor të drejtuesit të kamionit.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, ku një kamion i kompanisë “Alba Beton”, me një pompë betoni të instaluar, hyri me shpejtësi në rrethrrotullim, goditi një automjet tjetër dhe barrierat mbrojtëse, duke përfunduar në nivelin e poshtëm të rrugës.
Nga hetimet paraprake dyshohet se sistemi i frenimit mund të ketë dështuar ose drejtuesi i mjetit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të një problemi shëndetësor. Pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga grupi hetimor, tregojnë se kamioni nuk ka shfaqur shenja frenimi përpara përplasjes.
Viktimat janë identifikuar si Mohamed Lotf, 30 vjeç, dhe Mohamed Ali, 44 vjeç, të cilët kishin mbërritur në Shqipëri rreth një muaj më parë me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare.
Hetuesit po presin rezultatet e ekspertizës mjekoligjore dhe kontrollin teknik të mjetit për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit Audi me të cilin u përplas kamioni, Roland Nuri, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka marrë vetëm dëmtime të lehta, pavarësisht se automjeti i tij u shkatërrua plotësisht.









