Policia bën të ditur se pjesëmarrësit në protestë kanë vijuar të mbajnë të bllokuar rrugën, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të efektivëve.
Policia e Tiranës ka vendosur 21 gjoba ndaj personave që bllokuan rrugën dhe penguan lëvizjen e automjeteve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit zyrtar, secili prej 21 personave është ndëshkuar me gjobë prej 5 mijë lekësh për kundërvajtje administrative, pasi ka penguar qarkullimin e mjeteve gjatë tubimit.
Autoritetet sqarojnë se masat administrative janë vendosur në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1.
Policia bën të ditur se pjesëmarrësit në protestë kanë vijuar të mbajnë të bllokuar rrugën, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të efektivëve. Këta të fundit u kanë bërë thirrje përmes megafonit që të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve.
Pas konstatimit të shkeljeve, punonjësit e Policisë kanë plotësuar 21 procesverbale për kundërvajtje administrative, duke vendosur për secilin person masën e gjobës prej 5 mijë lekësh.
Ndërkohë, Policia ka referuar materialet procedurale në Prokurori për vlerësim dhe veprime të mëtejshme.









