Kur Boeing-u ndodhej vetëm 264 këmbë mbi tokë, në kabinën e pilotëve u aktivizua alarmi për ndryshim të fortë të drejtimit ose shpejtësisë së erës, i shoqëruar me paralajmërimin: “WINDSHEAR, WINDSHEAR, WINDSHEAR”. Pilotët ndërprenë menjëherë uljen dhe kryen manovrën e largimit. Ata kërkuan një tjetër tentativë, duke bërë të ditur se nëse edhe ajo dështonte, do të drejtoheshin për në Mançester.
Një incident që mund të kishte përfunduar në tragjedi ajrore është bërë publik përmes një raporti të Degës Britanike për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB). Bëhet fjalë për një fluturim të Ryanair në tetor të vitit 2025, kur një Boeing 737-800 arriti të ulej në Mançester me një sasi karburanti që do të mjaftonte për vetëm rreth 10 minuta fluturim. Para uljes ishin regjistruar një sinjal “Mayday” dhe disa tentativa të dështuara për ulje në aeroporte të tjera.
Si nisi gjithçka
Avioni i Ryanair ishte nisur nga Piza, në Itali, me destinacion aeroportin Prestwick, pranë Glasgow-t. Në bord ndodheshin 171 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Ngjarja ndodhi më 3 tetor 2025, ndërsa Britania e Madhe goditej nga stuhia “Amy”, e shoqëruar me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme.
Ryanair kishte paralajmëruar një ditë më parë ekuipazhet për kushtet e pritshme atmosferike, ndërsa ditën e fluturimit ishin dërguar edhe njoftime të tjera me email. Duke qenë të vetëdijshëm për vështirësitë e mundshme, pilotët kishin marrë edhe karburant shtesë.
Mançesteri ishte përcaktuar paraprakisht si një aeroport alternativ, pasi kushtet e motit atje konsideroheshin më të favorshme. Fluturimi duhej të nisej në orën 14:15, por pati një vonesë prej afro një ore e gjysmë. Pjesa e parë e udhëtimit kaloi pa probleme.
Alarmi “WINDSHEAR”
Situata ndryshoi gjatë afrimit në Prestwick. Erërat në sipërfaqe arrinin rreth 33 milje në orë, me rafale deri në 52 milje në orë, ndërsa pilotët raportuan turbulenca.
Kur Boeing-u ndodhej vetëm 264 këmbë mbi tokë, në kabinën e pilotëve u aktivizua alarmi për ndryshim të fortë të drejtimit ose shpejtësisë së erës, i shoqëruar me paralajmërimin: “WINDSHEAR, WINDSHEAR, WINDSHEAR”.
Pilotët ndërprenë menjëherë uljen dhe kryen manovrën e largimit. Ata kërkuan një tjetër tentativë, duke bërë të ditur se nëse edhe ajo dështonte, do të drejtoheshin për në Mançester.
Gjatë afrimit të dytë kushtet fillimisht dukeshin më të qeta, por u regjistrua sërish fenomeni “wind shear”, duke i detyruar pilotët të anulonin edhe këtë tentativë.
Mançesteri fillimisht nuk e pranoi avionin
Më pas, kulla e kontrollit i njoftoi se Mançesteri nuk mund ta pranonte kërkesën e tyre për devijim, pa u dhënë një shpjegim për refuzimin. Pilotët kërkuan atëherë të drejtoheshin drejt Edinburgut. Kërkesa u pranua pas rreth pesë minutash.
Gjatë kësaj kohe, ata diskutuan edhe mundësinë e shpalljes së emergjencës “Mayday” për të shkuar në Mançester, por në atë moment vlerësuan se situata nuk i përmbushte ende kriteret për një emergjencë të tillë.
Ndërsa avioni po fluturonte drejt Edinburgut, shqetësimi për nivelin e karburantit po rritej. Edhe tentativa për t’u ulur atje u ndërpre.
Kapiteni vendosi më pas të ndryshonte kursin drejt Mançesterit. Në atë moment, avioni kishte tashmë 700 kilogramë më pak karburant sesa sasia e nevojshme për të përfunduar fluturimin duke ruajtur rezervën përfundimtare të parashikuar.
Përllogaritjet tregonin se avioni do të mbërrinte me vetëm 300 kilogramë karburant, shumë më pak se rezerva përfundimtare prej 1,101 kilogramësh. Kjo bëri që ekuipazhi të shpallte emergjencën: “MAYDAY MAYDAY MAYDAY FUEL”.
Sipas raportit, pilotët nuk morën në konsideratë mundësinë e uljes në një aeroport më të afërt, si ai i Newcastle-it. Avioni arriti përfundimisht të ulej në mënyrë të sigurt në Mançester në orën 19:52, pasi fluturimi ishte zgjatur me rreth një orë e 45 minuta.
Në momentin e uljes kishin mbetur vetëm 363 kilogramë karburant. Pasi avioni përfundoi lëvizjen në pistë dhe motorët u fikën, sasia kishte rënë në 240 kilogramë. Sipas Independent, një Boeing 737 konsumon rreth 363 kilogramë karburant në afro 10 minuta fluturim.
Çfarë zbuloi hetimi
Raporti i hetuesve britanikë evidenton se niveli shumë i ulët i karburantit krijoi një situatë të ngarkuar dhe stresuese në kabinën e pilotëve.
“Ekuipazhi e konsideroi fluturimin drejt Mançesterit stresues për shkak të nivelit të ulët të karburantit dhe vlerësoi se kishte një ngarkesë të lartë pune.
Ata ishin të përqendruar në përgatitjen e afrimit dhe monitorimin e erërave dhe, pasi ishin nisur drejt Mançesterit, nuk morën në konsideratë kthimin në Edinburg apo devijimin drejt një aeroporti alternativ më të afërt, si aeroporti i Newcastle-it.
Në fund, avioni vazhdoi drejt Mançesterit, ku u ul në mënyrë të sigurt, por ka pak gjasa që të kishte karburant të mjaftueshëm për një tjetër tentativë uljeje.”
Hetuesit shtojnë se fakti që ekuipazhi e kishte konsideruar Mançesterin si aeroportin alternativ të preferuar që në fillim mund të ketë ndikuar në vendimmarrjen e pilotëve.
Raporti evidentoi gjithashtu një “ndërprerje të komunikimit” në sistemin e kontrollit të trafikut ajror, e cila, sipas hetuesve, mund të kishte bërë të mundur devijimin e avionit më herët.









