Sipas investigimit, gjatë kësaj periudhe janë dënuar 620 shtetas shqiptarë për punë në ferma kanabisi, ndërsa gazeta pretendon se rreth 70% e tyre ndodheshin ilegalisht në vend.
Një rrjet i gjerë fermash kanabisi, i shtrirë nga banesat private deri te ndërtesat e braktisura, është në qendër të një investigimi gjashtëmujor të publikuar nga Daily Mail.
Tabloidi britanik pretendon se ka identifikuar të paktën 450 ferma kanabisi të lidhura me shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Përllogaritja është bërë duke analizuar të dhëna të policisë dhe raportime mediatike të katër viteve të fundit.
Sipas investigimit, gjatë kësaj periudhe janë dënuar 620 shtetas shqiptarë për punë në ferma kanabisi, ndërsa gazeta pretendon se rreth 70% e tyre ndodheshin ilegalisht në vend.
Por hetimi nuk është ndalur vetëm te ambientet ku kultivohet droga.
Gazetarët janë infiltruar në atë që e përshkruajnë si një industri mbështetëse për grupet kriminale. Në rrjetet sociale, sipas tyre, ofrohen dokumente të falsifikuara që mund të përdoren për marrjen me qira të pronave, përfshirë patenta, deklarata bankare, fletëpagesa dhe dokumente të tjera.
Në një prej rasteve, një gazetar i infiltruar pretendon se bleu kundrejt 200 paundëve një paketë dokumentesh false.
Investigimi evidenton edhe një tjetër aktivitet: shërbime që marrin përsipër pastrimin e pronave pasi fermat çmontohen. Disa prej tyre reklamohen në rrjetet sociale dhe, sipas gazetës, pretendojnë se mund të eliminojnë edhe gjurmë që mund të përdoren nga hetuesit.
Fermat e identifikuara nuk janë ngritur vetëm në shtëpi. Raportohen raste në ish-shkolla, zyra, bare, kinema, ambiente tregtare dhe ndërtesa të tjera të boshatisura.
Krahas përfitimeve të mëdha financiare, investigimi evidenton edhe pasojat për komunitetet lokale. Përplasjet mes grupeve rivale, armët dhe zjarret e shkaktuara nga manipulimi i rrjetit elektrik janë ndër rreziqet e përmendura.
Një prej episodeve më të rënda ndodhi në Bristol në vitin 2022, ku një konflikt për kontrollin e një ferme kanabisi përfundoi me vrasjen e një 32-vjeçari.
Sipas të dhënave të cituara në artikull, të paktën 640 zjarre të lidhura me ferma kanabisi janë regjistruar nga viti 2019 deri në mesin e vitit 2024, duke shkaktuar edhe viktima.
Daily Mail lidh gjithashtu një pjesë të fenomenit me emigracionin e paligjshëm, duke sjellë raste të personave të deportuar pas dënimeve që dyshohet se janë rikthyer ilegalisht në Britani dhe janë përfshirë sërish në kultivimin e drogës.
Sipas tabloidit, zbulimet e fermave vazhdojnë, ndërsa vlera e kanabisit të sekuestruar në disa prej operacioneve të fundit arrin në miliona paund.
Të dhënat për 450 fermat dhe përmasat e rrjetit janë përfundime të investigimit dhe nuk përbëjnë një bilanc të unifikuar zyrtar të autoriteteve britanike.









