Çfarë informacionesh i dha shefja e SHISH Ergys Agasit?

Facebook
WhatsApp

Gazetarja Klodiana Lala: Të dhënat sekrete lidhen me politikanë dhe kundërshtarë të biznesmenit.

Gazetarja Klodiana Lala, ka zbuluar disa nga sekretet shtetërore që ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, i ka përcjellë biznesmenit, Ergys Agasit. E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala u shpreh se dyshohet që Hyseni të ketë vënë në funksion të Agasit të gjithë infrastrukturën e sektorit që ajo drejtonte në favor të biznesmenit, përgjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati.

“Prokuroria e Posaçme ka dyshime për dy vepra penale: nxjerrje e sekretit hetimor dhe shtetëror për shkak të detyrës dhe përkrahje e autorit të krimit. Tani, përkrahje e autorit të krimit, sipas të dhënave të siguruara nga pajisje përgjuese, nga telefonat në momentin e arrestimit të Agasit dhe ish-zyrtarit tjetër të lartë, Uljan Shpataraku, por dhe nga të dhëna që vijnë përmes dëshmive të bëra nga vetë Byroja Kombëtare e Hetimit, këqyrja e kamerave të sigurisë e të tjera me radhë, është arritur në konkluzionin, sipas dyshimeve të deritanishme, prezumohet zonja e pafajshme që ajo ka vënë në funksion të Ergys Agasit të gjithë infrastrukturën për ta përkrahur gjatë gjithë kohës që ishte në arrati”, tha ajo.

Sipas gazetares, Agasi ka marrë informacion nga Hyseni për lëvizjet e policisë ndaj tij, por gjithashtu dhe nxjerrje të informacioneve të klasifikuara të personave të tjerë të rëndësishëm në vend, përfshirë këtu dhe politikanë.

“Çfarë nënkupton infrastrukturë? Kur ka pasur informacion për lëvizjet e policisë, që e di zonja se si i ka siguruar, e ka informuar. Ka komunikime direkte me Ergys Agasin. Kjo ka të bëjë me përkrahjen e autorit të krimit. Së dyti, ka të bëjë me nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe ndoshta ky është një nga skandalet më të rënda të një institucioni.

Asnjëherë nuk ka pasur, të paktën në Shqipëri dhe në rajon, për dyshime të një shefi të shërbimit informativ shtetëror me njerëz të krimit të organizuar. Në rastin konkret, sipas dyshimeve të deritanishme, rezulton se ka pasur komunikime të drejtpërdrejta me Agasin. Përpara se të shpallej në kërkim dhe pasi u shpall në kërkim, gjatë kësaj periudhe rezulton që i ka vënë në dispozicion të dhëna të cilat ajo i ka siguruar për shkak të funksionit si drejtuese e SHISH. Tani ju do pyesni me të drejtë çfarë janë këto të dhëna?

Duke qenë e natyrës sekrete dhe dokumente të klasifikuara, normalisht të dhënat nuk bëhen publike sepse mund të cenojnë rëndë interesat e shtetit shqiptar, të individëve të caktuar. Por pyetja shtrohet, momenti që Ergys Agasi dyshohet që ka marrë këto të dhëna nga drejtuesja e SHISH, si mendoni ju, për çfarë mund t’i ketë përdorur një personazh me shumë dritëhije në botën e krimit? Nuk janë vetëm për atë personalisht, janë dhe të dhëna të tjera.

Unë kam dyshime të forta që ato përmbajnë të dhëna për personazhe të tjerë të rëndësishëm, të cilët Ergys Agasi i ka kundërshtarë dhe që mund t’i ketë përdorur, jo vetëm të botës së krimit, por dhe njerëz të politikës”, tha gazetarja.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick