Autoritetet në SHBA përjashtuan një sulm hakerash, teksa faji iu vendos pajisjeve të vjetëruara. Fluturimet rifilluan pas katër orësh.
Autoritetet amerikane të aviacionit vendosën të pezullojnë të gjitha ngritjet e mbi 10.000 avionëve në aeroportet e vendit pasditen e të premtes, për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme”. 1.700 fluturime të tjera u shtynë.
Deri më tani nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e këtij vendimi, por sipas informacioneve paraprake, pak pas orës 15:00 me orën lokale (21:00 me orën shqiptare), janë shfaqur probleme të shumta në komunikimin radio mes qendrave të kontrollit të trafikut ajror, të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e avionëve në fluturim.
Ndërkohë, hapësira ajrore amerikane po zbrazej gradualisht, pasi avionët që ndodheshin në ajër po vijonin fluturimet deri në destinacionin e tyre. Qendrat e kontrollit ajror, të cilat menaxhojnë trafikun në një nga hapësirat ajrore më të ngarkuara në botë, u përgatitën për një situatë të njohur në terminologjinë e aviacionit si “ATC Zero”. Ky përcaktim nënkupton ndërprerjen e plotë të shërbimit të kontrollit të trafikut ajror, për shkak të pamundësisë së komunikimit me avionët.
Vendimi është konfirmuar edhe nga sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, përmes një reagimi në rrjetin social X.
“FAA ka urdhëruar pezullimin e ngritjes së avionëve në të gjitha aeroportet e Shteteve të Bashkuara, pas një problemi komunikimi që ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror. Teknikët e FAA-së po hetojnë për të përcaktuar shkakun e problemit. Do të publikojmë menjëherë informacione të reja sapo t’i kemi në dispozicion”, shkroi Duffy.
Sipas informacioneve paraprake, avionëve që ndodheshin në fluturim nuk u është kërkuar të uleshin në aeroportin më të afërt, siç ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Të dhënat e publikuara nga platformat e monitorimit të trafikut ajror tregojnë se avionët e linjave tregtare vijuan fluturimet sipas itinerareve të planifikuara.
Ndërkohë, FAA ka njoftuar se fluturimet ndërkombëtare drejt Shteteve të Bashkuara u trajtuan rast pas rasti. Kjo do të thotë se jo të gjithë avionët mund të lejoheshin të hynin në hapësirën ajrore amerikane.
Pezullimi i ngritjes së avionëve në rang kombëtar, i njohur në terminologjinë e aviacionit si “ground stop”, është një masë jashtëzakonisht e rrallë në Shtetet e Bashkuara.
Rasti i fundit u regjistrua në janar të vitit 2023, kur FAA pezulloi fluturimet për shkak të problemeve me një sistem të ri njoftimesh për pilotët. Përpara këtij incidenti, trafiku ajror në të gjithë vendin ishte ndërprerë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Çdo ditë, FAA menaxhon rreth 44 deri në 45 mijë fluturime. Pasditja e së premtes është gjithashtu një nga periudhat më të ngarkuara për trafikun ajror amerikan, pasi qindra mijëra njerëz udhëtojnë për fundjavë ose kthehen në shtëpi.
Në Shtetet e Bashkuara funksionojnë 22 qendra rajonale të kontrollit të trafikut ajror, të cilat menaxhojnë lëvizjen e avionëve në hapësirën ajrore të vendit.
Në momentin kur hyri në fuqi ndalimi, në orën 21:54 me orën e Shqipërisë, sipas platformës Flightradar24, në ajër ndodheshin 4.042 avionë që kishin si destinacion Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se 30 mijë fluturime ishin planifikuar të niseshin duke filluar nga momenti kur u vendos ndalimi kombëtar, pak para orës 16:00 me orën e bregut lindor të SHBA-së. Disa prej tyre u anuluan, përfshirë fluturimin e orës 22:30 nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt aeroportit JFK të Nju Jorkut.
Ndërkohë, sipas CNN, që citon burime nga Administrata Federale e Aviacionit, për momentin nuk ka të dhëna që problemet në sistemin e kontrollit të trafikut ajror të jenë shkaktuar nga një sulm kibernetik.









