Çfarë po ndodh me Xi Jinping? Kërkesat e pazakonta për “pushim”

Facebook
WhatsApp

Kërkesa të pazakonta të zyrtarëve të Pekinit drejtuar homologëve amerikanë, gjatë vizitës së liderit kinez Xi Jinping në Uashington javën e kaluar për t’u takuar me Donald Trump, kanë ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij shëndetësore.

Kërkesa të pazakonta të zyrtarëve të Pekinit drejtuar homologëve amerikanë, gjatë vizitës së liderit kinez Xi Jinping në Uashington javën e kaluar për t’u takuar me Donald Trump, kanë ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij shëndetësore.

Ajo që kërkonin bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit 73-vjeçar ishte që të merreshin masa të posaçme, në mënyrë që ai të kishte kohë të mjaftueshme për të pushuar gjatë samitit me Trump. Në këtë kuadër, kërkesa kryesore ishte që Xi-t t’i vihej në dispozicion një dhomë private brenda Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, ku ai të mund të tërhiqej për të bërë pushime mes aktiviteteve. Sipas burimeve të cituara nga Wall Street Journal, vetëm bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, kishte të drejtë ta shoqëronte. Asnjë anëtar tjetër i delegacionit kinez nuk lejohej ta përdorte këtë dhomë, madje as Cai Qi, shefi i kabinetit të Xi-t.

Pa drekë pune, pesë orë pushim

Vëmendje tërhoqi gjithashtu fakti se, rreth një muaj përpara udhëtimit, ekipi përgatitor i presidentit kinez hodhi poshtë propozimin për një drekë pune mes Xi-t dhe Trump më 24 shtator, e vetmja ditë plotësisht e ngarkuar e samitit, sipas të njëjtave burime. Në një rast të ngjashëm, kur Trump kishte vizituar Pekinin në maj, dy liderët kishin drekuar së bashku në kompleksin e udhëheqjes kineze Zhongnanhai.

Informacioni kryesor që zyrtarët kinezë u kishin dhënë homologëve amerikanë ishte se preferonin të parashikohej më shumë kohë pushimi për Xi-n gjatë vizitës së tij në Uashington. Si rezultat, në programin e samitit u krijua një boshllëk prej rreth pesë orësh, një periudhë jashtëzakonisht e gjatë pa aktivitete për një vizitë që zgjati vetëm dy ditë.

Gjithashtu, delegacioni kinez nuk planifikoi asnjë aktivitet për Xi-n në mbrëmjen e mbërritjes së tij, ndërsa në ditën e fundit të vizitës, më 25 shtator, presidenti kinez qëndroi vetëm rreth dhjetë minuta në Arkivat Kombëtare të SHBA-së, shumë më pak nga sa kishin parashikuar zyrtarët amerikanë, të cilët mendonin se atje ai do të kishte mundësi të fliste sërish me Trump për Tajvanin.

Megjithatë, Xi kishte kryer një fluturim prej rreth 14 orësh nga Pekini dhe diferenca kohore mund të shpjegonte në vetvete disa prej ndryshimeve në program, veçanërisht në mbrëmjen e mbërritjes.

Nga ana tjetër, kur Trump, sot 80 vjeç, ndodhej në Pekin për një samit më herët gjatë vitit, ekipi i tij kishte parashikuar gjithashtu periudha pa aktivitete zyrtare gjatë dy ditëve. Sipas regjistrimit zyrtar të aktiviteteve presidenciale, presidenti amerikan e shfrytëzoi një pjesë të kësaj kohe për intervista në Fox News.

Planifikim i rreptë edhe për ceremonitë

Gjatë qëndrimit në Uashington, Xi mori të gjitha nderimet e një vizite zyrtare shtetërore: 21 të shtëna nderi me top, fluturimin e avionëve luftarakë amerikanë dhe të një bombarduesi stealth, si dhe një statujë të madhe shqiponje si dhuratë.

Megjithatë, pas ceremonive, ekipi i tij e kishte hartuar programin duke marrë parasysh se sa gjatë mund të qëndronte në këmbë, sa larg mund të ecte dhe kur do t’i nevojitej pushim, sipas personave që kishin dijeni për përgatitjet.

Dennis Wilder, ish-drejtor i lartë për çështjet e Kinës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, i cili kishte organizuar tri vizita shtetërore gjatë presidencës së George W. Bush, e cilësoi si të paprecedentë vënien në dispozicion të një hapësire të posaçme vetëm për pushimin e Xi-t.

Siç tha ai për WSJ, gjatë përgatitjes së vizitave të kryeministrit japonez Junichiro Koizumi, kryeministrit australian John Howard dhe paraardhësit të Xi-t, Hu Jintao, “nuk kishim bërë kurrë diçka të tillë. Është e pazakontë”.

Pikëpyetjet nuk janë të reja

Pikëpyetjet rreth gjendjes shëndetësore të Xi-t nuk janë të reja. Diskutime të ngjashme kishin nisur pas turneut të tij evropian në vitin 2019, kur në disa pamje video ai dukej se ecte me njëfarë vështirësie dhe përdorte mbështetëset e krahëve të një karrigeje për t’u ngritur.

Megjithatë, më shumë se gjashtë vjet më vonë, Xi vazhdon të jetë fuqishëm në krye të Kinës, duke përqendruar në duart e tij më shumë pushtet se çdo lider tjetër kinez që nga Mao Ce Duni dhe pa caktuar deri më sot një pasardhës.

Kina në thelb nuk ka një procedurë të institucionalizuar për përzgjedhjen e personit që do të marrë tri postet kyçe që Xi mban aktualisht: sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste, president i vendit dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

Gjatë vizitës së tij në Uashington, lëvizjet e kujdesshme të Xi-t ishin të dukshme edhe në pamjet televizive të papërpunuara. Në njërën prej tyre, teksa zbriste shkallët e avionit në bazën ajrore Andrews, Xi mbante me njërën dorë bashkëshorten e tij Peng, ndërsa me tjetrën mbahej te parmakët.

Dy ditë më vonë, teksa ngjiste shkallët e Arkivave Kombëtare së bashku me Trump dhe Melania Trump, çifti mbahej sërish për dore gjatë gjithë ngjitjes. Madje, Xi dukej se mbështetej fizikisht te bashkëshortja dhe jo thjesht se i mbante dorën.

Mediat shtetërore kineze i hoqën këto momente nga mbulimi i vizitës në programet me audiencë të lartë. Megjithatë, duhet theksuar se Xi prej vitesh e mban Peng-un për dore në daljet zyrtare, një gjest i pazakontë për një lider kinez, të cilin mediat shtetërore e kanë paraqitur shpesh si shenjë të marrëdhënies së ngushtë të çiftit.

Mungoi në darkën e BRICS me Putin sepse “nuk ndihej mirë”

Edhe përpara vizitës në Uashington, diskutimet për gjendjen shëndetësore të Xi-t ishin intensifikuar. Në samitin e BRICS në Indi, më herët në shtator, presidenti kinez nuk mori pjesë në një darkë zyrtare ku ishin të pranishëm presidenti rus Vladimir Putin dhe liderë të tjerë, pasi, sipas Wall Street Journal, nuk ndihej mirë.

Sipas Wilder, i cili aktualisht është profesor i Studimeve Aziatike në Universitetin Georgetown, një tjetër element që binte në sy ishte kohëzgjatja e kufizuar e programit mes Trump dhe Xi. Takimi dypalësh i dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator nisi pak para mesditës dhe përfundoi herët pasdite. Më pas Xi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe nuk u kthye deri në darkën zyrtare shtetërore po atë mbrëmje, ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të bizneseve amerikane, mes tyre drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, dhe kreu i Tesla-s, Elon Musk.

“Është një periudhë jashtëzakonisht e shkurtër për një samit të këtij niveli”, komentoi Wilder, duke iu referuar kohës së kufizuar që iu kushtua bisedimeve thelbësore mes liderëve të dy ekonomive më të mëdha të botës.

Çështja e shëndetit dhe pasardhësit, sekret shtetëror

Shëndeti i udhëheqësve më të lartë të Kinës tradicionalisht trajtohet si një nga sekretet shtetërore më të ruajtura. Kjo praktikë lidhet me bindjen e Partisë Komuniste se çdo shenjë dobësie në krye mund të shkaktojë kundërshtime brenda partisë ose të destabilizojë kontrollin mbi pushtetin.

Megjithatë, analistët e specializuar për udhëheqjen kineze theksojnë se në daljet publike të Xi-t nuk dallojnë shenja të dobësimit të aftësive njohëse.

“Ka një ndryshim të jashtëzakonshëm mes një lideri që është plotësisht i paaftë të funksionojë për shkak, për shembull, të një goditjeje të rëndë në tru dhe një lideri që ka kufizime fizike, por i ruan të paprekura funksionet mendore”, deklaroi Minxin Pei, profesor i Shkencave Politike në Claremont McKenna College dhe ekspert i politikës së elitave kineze.

Në rastin e parë, shpjegoi ai, partia do të ishte e detyruar të gjente me shpejtësi një pasardhës. Në rastin e dytë, ajo thjesht mund të priste, ndërsa nuk do të kishte gjasa për ndryshime të rëndësishme politike, siç kishte ndodhur edhe në vitet e fundit të Mao-s, përpara vdekjes së tij në moshën 82-vjeçare.

Megjithatë, edhe çështja e pasardhësit mbart rreziqe që shkojnë përtej kufijve të Kinës. Sipas Pei-t, një konkurrencë e mundshme mes individëve ose fraksioneve që do të synonin të pasonin Xi-n mund t’i shtynte disa palë të mbështesnin politika më agresive, për të fituar avantazh në një luftë të brendshme për pushtet.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick