Nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike, theksohet ndër të tjera.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të politikanit serb Ivica Daçiç, i cili deklaroi se “flamuri serb do të ngrihet në Prizren”.
Në reagimin e tij, ministri Ferit Hoxha thotë se kjo deklaratë do të mbetej në kontekstin e retorikës politike, po të u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë, si në rastin e sulmit në Banjskë.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm”, shprehet më tej ministri Hoxha.
Reagimi i plotë:
Ministri serb Ivica Daçiq, gjatë fushatës elektorale, i premtoi audiencës së tij se “do ta ngrinte sërish flamurin e tyre” në Kosovë.
Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime.
Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.
Megjithatë, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.
Ndërtimi i paqes dhe besimit kërkon kohë, shpesh vite, në mos dekada. Ai kërkon vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Vetë Evropa u ndërtua mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.
Në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika provokuese. Nuk mund të lejojmë t’i harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim gabimet e së kaluarës.
Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po konsolidon vazhdimisht pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë një e ardhme paqeje, sigurie, gjithëpërfshirjeje dhe integrimi evropian.









