Kurti e cilësoi deklaratën e miratuar me 99 vota si një hap të parë të përbashkët, ndërsa theksoi rëndësinë e koordinimit edhe me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët e fushës. Në këtë kuadër, ai kërkoi që çështja të trajtohet si një interes shtetëror, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me Shqipërinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur deklaratën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në lidhje me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me të gjitha palët e përfshira.
Në mbledhjen e qeverisë, Kurti e cilësoi deklaratën e miratuar me 99 vota si një hap të parë të përbashkët, ndërsa theksoi rëndësinë e koordinimit edhe me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët e fushës. Në këtë kuadër, ai kërkoi që çështja të trajtohet si një interes shtetëror, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me Shqipërinë.
“Deklarata e miratuar me 99 vota për, në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se që krijon efekt juridik është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse edhe me ekspertët të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose në dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi”, tha kryeministri Kurti.
Kurti foli edhe për vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, sipas tij, në takimet e zhvilluara gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka ngritur shqetësimet lidhur me vendimin e shkallës së parë.
“Në secilin takim në New York unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, deklaroi Kurti.
Kryeministri i Kosovës e cilësoi aktgjykimin si të rëndë dhe të padrejtë, ndërsa theksoi se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende dhe se vendimi mund të ankimohet.
“Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë dhe pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në Apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, tha ai.
Kurti deklaroi se qeveria e Kosovës do të vijojë angazhimin për kundërshtimin e vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Do të punojmë si qeveri për korrigjimin e aktgjykimit të padrejtë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, u shpreh kryeministri.









