Dhuna në protesta. Rama: Të miturit më shumë kohë në shkollë!

Facebook
WhatsApp

Kryeministri Edi Rama, në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve ka deklaruar se duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00. Sipas tij kjo do të ndihmojë prindërit që punojnë, ndërsa fëmijët do të merren me aktivitete kulturore e sportive që ndihmojnë edhe socializimin e tyre.

Në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, e cila u mblodh pas akteve të fundit të dhunës nga të miturit në protestat në Tiranë, u shpalos nevojë e një plani të përbashkët veprimi me Shoqërinë Civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.

Pjesëmarrës ishin disa ministra, ndërsa në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se duhen gjetur mënyra sesi këta të rinj të ndihmohen dhe të dallojnë realen nga bota virtuale.

Ai propozoi kufizim të moshës për rrjetet sociale dhe një kohë më e gjatë e kaluar në shkollë, arte, kulturë, zeje, skenë apo sport.

“Në këtë moment delikat, ky këshill merr një vëmendje të veçantë, ku këndvështrimet duhet t’i përshtatet mësimeve të këtij momenti. Jeni vlerë e shtuar e kësaj tryeze, të gjithë ju që vini nga institucione të pavarura ose organizata ndërkombëtare që merren me çështjet e fëmijëve.

Jemi dëshmitarë të një panorame shumë shqetësuse, të qasjes së një pjesë të shoqërisë, ndaj një tabuje për demokracinë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës, që është dhuna. Dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar. Dhuna ka marrë një drejtim keqinformues dhe keqedukues, duke u kthyer në një stigmë të policisë së shtetit.

Të gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe të drejtave për një qëndrim ndryshe, për të bërë mësim, e pronës; kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të admirueshme për të përmbysur një sistem. Nëse mbetemi te ekspozimi dhe kritika do ta kemi përpara në forma dhe momente të ndryshme si një mjet të ri të adoptuar nga shoqëria që mund të përdoret individualisht nga të rinjtë e keqkuptuar. Dhuna mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, universitetit, pronarit të sipërmarrjes, gjithkujt apo gjithçkaje që e konsiderojnë pengesë në një hapësirë lirie. Ky është fenomeni.

Befasia shqetësuese është pjesëmarrja e të miturve. Përpara se t’i konsiderojmë fajtor, duhet t’i konsiderojmë si fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara sesi të mendojmë sesi duhen dënuar, duhet të mëndojmë sesi duhen neutralizuar burimet ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës.

Përpara se të shpjegojmë kush i përdori dhe keqpërdori, të gjejmë sesi familjet e tyre duhen ndihmuar për t’i kthyer në sens bashkëjetese me të tjerët. Kemi ndjekur sesi e ka bërë bota, në Francë dhuna e të miturve ka qenë prezente. Edhe ne morëm masa administrative për familjet, kjo për ata fëmijë që bëjnë dëme.

Nëse për një të rritur izolimi sipas ligjit e përfundon misionin e shtetit në raport me sigurinë, për një të mitur e vendos në tryezë. Aty fillon misioni. Të mësojmë sesi të ndihmojmë familjet duke nisur nga ato më në nevojë.

Kemi subvencione për nënat e papuna kryefamiljare me fëmijë të mitur. Bonusi i bebeve do jepet si një skemë e rregullt çdo muaj, si një kontribut për ato familje që kanë fëmijë më shumë. Kemi rritur ndihmën për studentët.

Mbi të gjitha, unë besoj fort që kjo situatë e re e gatuar në vite në Evropë dhe Shqipëri si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme dhe aq të ndryshme, kërkon një qasje të re që ndihmon socializimin fizik të njerëzve.

Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkejetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët. Kanë stimuluar një kapërcim të kufijve midis reales dhe virtuales në pikën që psikologët kanë dalë në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi për të hyrë në një Play Station dhe duhet hapur debati që si dhe kur duhet kufizuar aksesi për rrjetet sociale të të miturve dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që mos kenë asnjë mundësi të kenë rrjete sociale individuale.

Do fillojmë një konsultim si në rastin kur kufizuam TikTokun, për kufizimet sociale për të miturit. Një trend ky në vendet demokratike.

Duhet të rrisim aktivitetet sociale të fëmijëve, që ka të bëjë me skenën, zejet, artin, filmin etj. Zgjatja e kohës së fëmijëve në shkollë është diçka që duhet të fillojë menjëherë në vitin e ardhshëm, kemi vendosur edhe një buxhet, që prindërit të punojnë dhe fëmijët të jenë në shkollë deri pasdite në orën 17:00.

Unë nuk e kam menduar që do të jetoj në një Shqipëri ku frika për të folur do të ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për të bërë Shqipërinë më të mirë.

Kam dhjetra mesazhe studentësh dhe prindërisht që luten për ndihmë ndaj fëmijëve të tyre të intimiduar. Presim ndihmë nga ju”, tha ai.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick