Diaspora në protestën e 76: Rama s’ka më legjitimitet, të ikë!

Facebook
WhatsApp

Shqiptarë të ardhur nga Italia e Gjermania iu bashkuan protestës së 76-të para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik. Mesazhet e tyre u përqendruan te korrupsioni, emigracioni dhe përgjegjësia e klasës politike për largimin e shqiptarëve nga vendi. Aktivisti Edison Lika e cilësoi praninë e diasporës si një dimension të veçantë të protestës, duke bërë thirrje për largimin e atyre që, sipas tij, i kanë detyruar shqiptarët të largohen.

Protesta e 76-të para Kryeministrisë në Tiranë u shoqërua edhe këtë mbrëmje me mesazhe të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Një pjesë e rëndësishme e tubimit ishte prania e shqiptarëve nga diaspora, të cilët kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës.

Një shqiptar që jeton në Itali e cilësoi protestën si një moment të rëndësishëm ndërgjegjësimi për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, problemet e vendit nuk lidhen vetëm me një institucion të caktuar, por me një sistem politik që, në vlerësimin e tij, ka dëmtuar institucionet dhe ka favorizuar emërimet mbi bazën e interesave politike.

“Protesta është madhështore. Ne si shqiptarë, për herë të parë po ndërgjegjësohemi. Secili prej nesh është dakord, pasi çdo institucion është shkatërruar nga kjo klasë politike. Postet janë mbushur me njerëz pa përgatitje, ku qëllimi është zhvatja”, u shpreh ai.

Protestuesi e drejtoi përgjegjësinë kryesore te qeveria dhe kryeministri Rama, duke kundërshtuar pretendimin se qeveria ka një “kontratë” me qytetarët.

“Ky grup kriminal që vetëquhet Rilindje ka shkaktuar gjithë këtë krim. Rama thotë se ka kontratë me popullin shqiptar, por s’ka nënshkruar me ne këtë kontratë. Ai nuk ka legjitimitet sa i takon pushtetit që ka”, deklaroi ai.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, administrata publike përdoret për të mbajtur në këmbë pushtetin politik. Por kritikat e tij nuk u kufizuan vetëm te mazhoranca. Protestuesi sulmoi edhe opozitën, duke e cilësuar Sali Berishën si një mbështetje të pushtetit të Ramës.

“Rama nuk ka pushtet personal. Është person që mbahet nga punonjësit e administratës publike, që po shesin dinjitetin dhe po shkatërrojnë vendin tonë për një vend pune. Nëse ne nuk reagojmë, kjo protestë nuk do të ketë përfundimin që duhet. Duhet ta rrëzojmë. Nuk është vetëm Rama, por edhe paterica e tij, Sali Berisha”, tha ai.

Në fund, shqiptari që jeton në Itali bëri thirrje për vazhdimin e protestave, duke e lidhur situatën politike edhe me emigracionin masiv të shqiptarëve.

“Kanë detyruar qindra shqiptarë të largohen jashtë. Dua dhe shpresoj që kjo protestë të ketë vazhdimësi. Rama duhet të japë dorëheqjen. Duhet të shporret. Ne do të ecim përpara dhe nuk duhet të dorëzohemi”, u shpreh ai.

“Nuk ka çështje më të ndershme se ajo e kombit”

Në protestë ishte edhe një e re nga diaspora, e rritur në Gjermani dhe e diplomuar në shkencat politike. Ajo tregoi historinë e familjes së saj dhe arsyen që e kishte sjellë në Tiranë për t’iu bashkuar protestuesve.

Sipas saj, babai i saj ishte larguar nga Shqipëria vite më parë për shkak të korrupsionit, me synimin që fëmijët të rriteshin në një shoqëri ku të drejtat dhe dinjiteti i qytetarëve respektohen.

“Jetoj në Gjermani. Babai im është larguar shumë vite më parë nga Shqipëria prej korrupsionit. Kërkoi që fëmijët e tij të rriten me një kulturë ku të drejtat e njerëzve të jenë prezente, për të cilat sot ende luftojmë”, tha ajo.

E reja, e cila sot është politologe, tha se kjo histori familjare e ka bërë edhe më të fortë lidhjen e saj me problematikat e vendit të origjinës.

“Këtë betejë e ndaj edhe unë dhe sot jam politologe. Nuk ka çështje më të ndershme se ajo për kombin tënd!”, u shpreh ajo.

Lika: Rroftë Diaspora!

Prania e shqiptarëve nga diaspora u përshëndet edhe nga aktivisti Edison Lika, i cili iu drejtua protestuesve me një thirrje për vazhdimin e presionit ndaj qeverisë.

“Rroftë Diaspora! Diaspora është këtu. Ju erdhi fundi! A do t’i largojmë ata që ju larguan nga ky vend apo jo? Për çfarë keni ardhur sot? Për të kërkuar dorëheqje!”, deklaroi Lika.

Ai tha se ardhja e diasporës i ka dhënë një tjetër dimension protestës, e cila sipas tij vijon prej 76 ditësh në Tiranë.

“Ky shesh ka 76 ditë që duket i bukur, por secili i bie një nur kur vjen Diaspora. Diaspora e zbukuron sheshin. Dorëheqje!”, u shpreh aktivisti.

Protesta vijon prej 76 ditësh me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kërkojnë gjithashtu një qeveri teknike 12-mujore dhe hetimin e kryeministrit nga SPAK.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick