Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe kushteve të vështira atmosferike, qindra qytetarë u mblodhën sërish para Kryeministrisë në Tiranë. Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 25-të, vijon me të njëjtat kërkesa politike për dorëheqje të qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Organizatorët paralajmërojnë përshkallëzim të aksionit qytetar nëse kërkesat nuk merren parasysh.
Reshjet e forta të shiut, të shoqëruara me bubullima dhe vetëtima që përfshinë Tiranën në mbrëmje, nuk arritën të shpërndajnë protestuesit e mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Edhe pse të lagur dhe nën kushte të vështira, qytetarët qëndruan përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar thirrjet e tyre të përsëritura për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në qeverisje.
Gjatë tubimit u dëgjuan sërish slogane politike dhe kërkesa të artikuluara nga organizatorët, të cilët lexuan platformën e tyre me kërkesa ndaj ekzekutivit. Ato përfshijnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike me mandat të kufizuar, si dhe ndryshime kushtetuese përmes referendumeve, përfshirë kufizimin e mandateve qeverisëse dhe reformimin e sistemit zgjedhor.
Në protestë pati edhe fjalime nga qytetarë të ndryshëm dhe pjesëmarrës të vetëquajtur si ish-ushtarakë apo pjesë e administratës, të cilët artikuluan akuza të forta ndaj klasës politike. Një prej folësve kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, ndërsa shprehu pakënaqësi edhe ndaj figurave të tjera politike, duke theksuar se përgjegjësia për situatën politike në vend është e ndarë mes aktorëve kryesorë të tranzicionit.
Një tjetër protestuese ngriti shqetësime për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur rritjen e kostos së jetesës, vështirësitë në sistemin shëndetësor dhe mungesën e mbështetjes për qytetarët në nevojë. Ajo theksoi se, pavarësisht presioneve apo kushteve atmosferike, protestuesit nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Organizatorët bënë të ditur se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa nuk përjashtohet përshkallëzimi i protestës, përfshirë edhe bllokimin e institucioneve në rast se kërkesat e tyre nuk adresohen nga autoritetet.









