Mijëra qytetarë marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë në ditën e 39-të të protestës qytetare, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik. Nga podiumi i protestës, aktivisti Ilir Xhemalaj akuzoi qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike dhe deklaroi se kryeministri “nuk përfaqëson më këtë popull”.
Pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajt tubimi i radhës. Të pajisur me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit brohoritën vazhdimisht “Rama dorëhiqu”, “Shqipëria është e rinisë, jo e partisë”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Ju erdhi fundi”. Në protestë morën pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, të rinj, pensionistë dhe familje me fëmijë.
Organizatorët theksuan se, pavarësisht shoqërimeve dhe arrestimeve të disa protestuesve gjatë ditëve të fundit, pjesëmarrja nuk është zbehur dhe protesta vijon çdo mbrëmje. Sipas tyre, lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës së vjetër politike, me synimin për ndryshimin e sistemit.
Një nga fjalimet më të spikatura të mbrëmjes u mbajt nga aktivisti Ilir Xhemalaj, i cili u ndal te problemet sociale dhe ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët shqiptarë. Ai akuzoi qeverinë se po përdor fondin rezervë të emergjencave për organizimin e spektakleve, ndërsa shumë familje nuk arrijnë të përballojnë nevojat bazë.
“Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. A ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj, një i ri që largohet nga vendi për bukën e gojës apo një pensionist që duhet të zgjedhë mes bukës dhe ilaçeve?”, deklaroi Xhemalaj, duke shtuar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë sociale.
Ai theksoi se protesta nuk është kundër muzikës apo aktiviteteve kulturore, por kundër mënyrës se si, sipas tij, po përdoren fondet publike. “Nuk na intereson sa ka kushtuar spektakli, por sa i ka kushtuar vendit humbja e shpresës së këtij brezi. Shqipëria ka para, por ato po vidhen”, u shpreh aktivisti para protestuesve.
Në përfundim të fjalës së tij, Xhemalaj kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se prioritet i vendit duhet të jetë mbajtja e të rinjve në Shqipëri dhe garantimi i një jete dinjitoze për pensionistët.
“Kryeministër, jep dorëheqjen, sepse nuk përfaqëson më këtë popull”, tha ai, mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të protestuesve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.









