Dita 42\Protestuesit: Për ne demokracia më e shtrenjtë se pushimet

Facebook
WhatsApp

Mijëra qytetarë morën pjesë këtë të shtunë në protestën e 42-të të zhvilluar para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit. Gjatë tubimit, aktivistë dhe protestues mbajtën fjalime me tone të forta kundër qeverisë, duke theksuar se mobilizimi qytetar nuk do të ndalet.

Mijëra qytetarë u mblodhën këtë të shtunë para Kryeministrisë në Tiranë në protestën e 42-të të organizuar kundër qeverisë. Gjatë tubimit, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në fjalimet e mbajtura u theksua se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh se 42 ditët e protestës kanë dëshmuar se shqiptarët nuk e meritojnë qeverinë aktuale dhe se shoqëria ka treguar aftësi për t’u organizuar dhe për të reaguar.

“Në 36 vite punuan për të na mësuar se jemi një popull që nuk organizohet dhe nuk ndërton shtet. Për 42 ditë u provua e kundërta. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër dhe Belinda Ballukun zëvendëskryeministre. Kemi treguar se dimë të artikulohemi dhe se mund të ndërtojmë një Shqipëri të re, pa hajdutë në krye të shtetit”, tha ajo.

Vatnikaj shtoi se protesta nuk është më vetëm fenomen i Tiranës, por është përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, si Elbasani, Korça dhe Lezha, si edhe mes komuniteteve shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.

Sipas saj, pritshmëritë se temperaturat e larta të verës apo zhvillimet sportive do ta zbehnin protestën nuk u realizuan.

“Ata menduan se Botërori, vapa dhe pushimet do të na mposhtnin, por demokracinë e kemi më të shtrenjtë. Prandaj vazhdojmë të kërkojmë: Rama, jep dorëheqjen”, deklaroi ajo.

Në protestë foli edhe një shqiptar që jeton në Itali, i cili tha se i ishte bashkuar tubimit për të mbështetur kërkesat e qytetarëve.

Ai argumentoi se publikimet e njohura si “Albanian Files” tregojnë, sipas tij, se projektet e qeverisë nuk janë ndërtuar në funksion të qytetarëve, por të ruajtjes së pushtetit.

“Po ndërtohet një Shqipëri ku shqiptarët bëhen të tepërt. Kryeministri ka harruar se pushteti nuk është pronë e qeveritarit, por amanet i qytetarëve. Një popull mund të frikësohet, por nuk mund t’i merret dinjiteti. Shqipëria nuk do ta pranojë kurrë rikthimin e një diktati. Zbato kërkesat e këtij sheshi dhe jep dorëheqjen”, u shpreh ai.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick