Për të 55-ën ditë radhazi, protesta para Kryeministrisë vazhdoi me të njëjtën kërkesë: dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë. Fjalimet e qytetarëve u përqendruan te akuzat për korrupsion, kapjen e shtetit, ligjet e kontestuara dhe nevojën për një qeveri tranzitore që do të garantonte zgjedhje të lira.
Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe në ditën e 55-të radhazi, me qindra qytetarë që u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Mes pankartave dhe thirrjeve kundër qeverisë, pjesëmarrësit përsëritën se nuk do të tërhiqen derisa të realizohet kërkesa e tyre kryesore: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Atmosfera në bulevard u karakterizua nga brohoritje si “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Ju erdhi fundi”. Protestuesit theksuan se lëvizja do të vazhdojë çdo ditë, duke e konsideruar atë një reagim qytetar kundër korrupsionit dhe sistemit politik aktual.
Një nga fjalimet më të forta erdhi nga një i ri, i cili iu përgjigj deklaratave të fundit të kryeministrit për “besën”. Sipas tij, pas 13 vitesh qeverisje nuk mund të kërkohet besimi i qytetarëve.
“Nuk ka besë për ty, kryeministër. Besa nuk i jepet dikujt që na ka prerë në besë për vite me radhë. Nuk do të na trembësh që të largohemi nga ky shesh. Do të qëndrojmë këtu derisa të japësh dorëheqjen”, deklaroi ai, duke shtuar se pas largimit të Ramës vendi ka nevojë për një qeveri tranzitore që të rikthejë funksionimin normal të demokracisë.
Një tjetër qytetar sulmoi ashpër kryeministrin për mënyrën si, sipas tij, trajton qytetarët dhe protestën. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion, ndërsa kritikoi deklaratat që i kanë cilësuar protestuesit si “terroristë”.
“Tradhtia nuk falet. Kanë tentuar ta përçajnë këtë protestë, por nuk ia kanë dalë dhe nuk do t’ia dalin. Drejtësia duhet të veprojë ndaj atyre që kanë abuzuar me pushtetin,” u shpreh ai.
Në tubim foli edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se protesta nuk përfaqëson një grupim politik, por qytetarë të bashkuar nga pakënaqësia ndaj qeverisë. Ajo kërkoi dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, duke i cilësuar ato si ligje që favorizojnë interesat e oligarkëve në dëm të qytetarëve.
Vatnikaj deklaroi se protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike njëvjeçare, e cila do të organizojë zgjedhje të lira dhe të pakapura nga krimi dhe interesat oligarkike.
Në protestë mbajti fjalën edhe pedagogu i Universitetit të Arteve, Ilir Kaso, i cili e lidhi rezistencën qytetare me mbrojtjen e natyrës. Ai kujtoi se protesta nisi si reagim ndaj projekteve që, sipas tij, rrezikojnë zonat e mbrojtura dhe u shpreh se kjo kauzë i dha jehonë ndërkombëtare lëvizjes.
“Kemi dëgjuar për 55 ditë hallet e qytetarëve, por gjithçka nis nga natyra. Ajo ka nevojë të mbrohet dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve,” tha Kaso, duke lexuar më pas një letër drejtuar Ministrisë së Mjedisit.
Një tjetër protestues iu drejtua Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke kërkuar që Policia e Shtetit të përqendrohet në zbardhjen e ngjarjeve kriminale dhe jo, sipas tij, në presionin ndaj qytetarëve që protestojnë. Ai përmendi disa çështje kriminale ende të pazbardhura dhe kërkoi arrestimin e personave që, sipas tij, duhet të përballen me drejtësinë.
Në përfundim të tubimit, organizatorët ritheksuan se protesta do të vazhdojë pa ndërprerje deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas tyre, as deklaratat politike, as ndryshimet e mundshme në qeveri nuk do ta ndalin lëvizjen, e cila, siç u shprehën protestuesit, synon ndryshim të sistemit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.









