Në ditën e 56-të të protestës para Kryeministrisë, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës, hetimin e aferave të pronave dhe ndërhyrjen e SPAK. Në fjalimet e mbajtura u artikuluan akuza të forta ndaj qeverisë, sistemit politik dhe institucioneve të drejtësisë.
Në ditën e 56-të të protestës para Kryeministrisë, pjesëmarrësit vijuan të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në fjalimet e mbajtura nuk munguan akuzat për mënyrën se si, sipas tyre, është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit. Një prej protestuesve i bëri thirrje të drejtpërdrejtë SPAK-ut që të ndërmarrë veprime konkrete, duke kërkuar dërgimin në Kuvend të kërkesës për arrestimin e kryeministrit dhe nisjen e hetimeve për çështjen e Zvërnecit.
Në fjalën e tij, ai tha se shqiptarët nuk mund t’i besojnë më Ramës, pasi, sipas tij, kryeministri “e ka lidhur besën” me njerëzit e pushtetit dhe jo me qytetarët.
“Ky ka besën e gjarprit. Edi Rama nuk mund të lidhë besë me shqiptarët, sepse e ka lidhur me Ergys Agasin, me Belinda Ballukun. O SPAK, mos e fut kokën në rërën e plazhit, por çoje kërkesën në Kuvend për arrestimin e njeriut që mban peng fatin e këtij vendi. Nise hetimin për Zvërnecin. Nuk mund të lidhë besë me banorët e Rrjollit e Zvërnecit, sepse e ka lidhur me investitorët hajdutë dhe me patronazhistët e administratës”, u shpreh protestuesi.
Në tubim foli edhe aktivisti Edison Lika, i cili e lidhi protestën me çështjen e pazgjidhur të pronave, duke theksuar se për më shumë se tri dekada mijëra shqiptarë vijojnë të përballen me procese të gjata gjyqësore.
“Prej 36 vitesh shqiptarët përplasen dyerve të gjykatave, sepse shteti nuk u njeh të drejtat. Njerëzit janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre. Kam qenë në ‘5 Maj’ dhe nuk e harroj rezistencën e banorëve përballë makinerive të pushtetit. Shqipëria është plot me njerëz që nuk janë dorëzuar. Edhe sot, pas 56 ditësh protestë, ne do të vazhdojmë deri në largimin e kësaj qeverie”, deklaroi ai.
Një tjetër qytetar mbajti një fjalim të ashpër, duke kritikuar jo vetëm kryeministrin Rama, por edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas tij, protesta nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë sistemit politik që ka dominuar vendin në dekadat e fundit.
“Edi Rama na quajti sorra, korba të pashpresë dhe sot kërkon besën. Besa është e popullit, jo e atyre që e tradhtuan. Ti dhe Sali Berisha jeni i njëjti sistem. Kjo protestë është kundër jush dhe kundër modelit që keni ndërtuar”, u shpreh ai mes thirrjeve të protestuesve, të cilët vijuan të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshim politik.









