Dita 67\Protestuesit thirrje SPAK-ut: Heto Ramën!

Facebook
WhatsApp

Në ditën e 67-të të protestës para Kryeministrisë, aktivistë dhe qytetarë kërkuan nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar dosjes “Albanian Files” dhe arrestimeve të fundit. Ata deklaruan se protestat do të vijojnë derisa, sipas tyre, të ketë përgjegjësi politike dhe ligjore për zyrtarët e lartë.

Qytetarë dhe aktivistë morën fjalën për të përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për nisjen e hetimeve nga SPAK.

Një prej aktivistëve, duke iu referuar fotografive të kryeministrit gjatë pushimeve verore, deklaroi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga sheshi dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë hetimin e kreut të qeverisë.

“Nisim sot ditën e 67-të të kësaj proteste, e cila ka qenë një leksion qytetarie dhe demokracie. Edhe sot kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar që në ditën e parë: dorëheqjen e kryeministrit”, tha ai.

Aktivisti u ndal edhe te dosja “Albanian Files”, për të cilën tha se është dorëzuar pranë SPAK-ut, duke kërkuar që organi i posaçëm i drejtësisë të ndërmarrë veprime konkrete.

“Nga ky shesh i themi kryeministrit se mund t’i shijojë pushimet, por qytetarët nuk do të ndalen. Kërkojmë që SPAK të hetojë Ramën dhe të zbardhë të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të”, deklaroi ai.

Një tjetër protestues, i cili u prezantua si detar, iu referua rasteve të Kroacisë dhe Rumanisë, vende ku, sipas tij, drejtësia ka ndëshkuar zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion.

“Kroacia dhe Rumania kanë treguar se askush nuk është mbi ligjin. Edhe SPAK-u duhet të veprojë me të njëjtin standard dhe të hyjë në histori si institucioni që vendosi drejtësinë”, tha ai.

Gjatë tubimit u kërkua gjithashtu shfuqizimi i ligjit 21/2024, ndërsa aktivistët shprehën mbështetje për hetimet e deritanishme të SPAK-ut ndaj ish-ministrave dhe zyrtarëve të lartë.

Sipas tyre, përgjegjësia e kryeministrit nuk kufizohet vetëm te votuesit e tij, por shtrihet te të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Protestuesit theksuan se do të vijojnë tubimet e tyre për sa kohë që kërkesat e tyre nuk do të marrin përgjigje.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick