Në tubimin e sotëm, fjalimet e aktivistëve u përqendruan te drejtësia, korrupsioni dhe e shkuara komuniste, ndërsa bashkëshortja e poetit disident Havzi Nela kërkoi nga Rama të largohet dhe të përballet me drejtësinë.
Protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 72-të, ndërsa qytetarë dhe aktivistë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përpara godinës së qeverisë, folësit përsëritën akuzat ndaj qeverisë për korrupsion, keqqeverisje dhe lidhje me krimin, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë.
Aktivisti Edison Lika e cilësoi tubimin një “rezistencë mbarëkombëtare” dhe tha se kërkesa e protestuesve mbetet e njëjtë që prej ditës së parë.
“Bashkohemi përsëri në shesh në ditën e 72-të të kësaj proteste. Bashkohemi sot në ditën e 72-të të kësaj rezistence mbarëkombëtare dhe kërkojmë edhe sot, si ditën e parë, dorëheqje”, deklaroi Lika.
Gjatë protestës u dëgjuan vazhdimisht thirrje kundër kryeministrit dhe qeverisë, mes tyre “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Edi Rama, dil në bulevard, atdheu është i yni, jo biznes privat!”. Protestuesit hodhën gjithashtu akuza ndaj qeverisë dhe kërkuan largimin e saj.
Lavdije Nela: “Nuk jemi hakmarrës, por duam drejtësi”
Një nga fjalimet më të forta të mbrëmjes ishte ai i Lavdije Nelës, bashkëshortes së poetit dhe disidentit Havzi Nela, i cili u ekzekutua nga regjimi komunist më 10 gusht 1988.
Lavdije Nela, ish-e burgosur politike, foli për vuajtjet e saj dhe të bashkëshortit gjatë diktaturës dhe e lidhi protestën e sotme me kërkesën për drejtësi dhe ndëshkimin e krimeve të së kaluarës.
Ajo deklaroi se ishte dënuar me 10 vite burg, ndërsa Havzi Nela vuajti dënime të rënda në kampet e Spaçit dhe Kukësit, deri në ekzekutimin e tij.
Sipas saj, mosndëshkimi i krimeve të komunizmit ka krijuar kushtet që pasardhës të figurave të regjimit të marrin poste të larta politike.
“Vetëm në Shqipëri ndodh që biri i një ekzekutori të bëhet kryeministër, sepse pas vitit 1990 nuk u dënuan krimet e komunizmit”, tha Nela.
Duke iu drejtuar protestuesve, ajo tha se prania e tyre për 72 ditë në shesh e emocionon dhe e konsideroi protestën një vazhdim të kauzës për të cilën, sipas saj, luftoi Havzi Nela.
“Ju jeni fëmijët e mi dhe të Havzi Nelës, sepse po çoni përpara kauzën tonë”, u shpreh ajo.
Nela kujtoi edhe minutën e heshtjes së mbajtur nga protestuesit për viktimat e diktaturës dhe theksoi se kërkesa e saj nuk është hakmarrja, por drejtësia.
“Nuk jemi hakmarrës, por duam drejtësi. Kam pritur prej 35 vitesh nga Rama të kërkojë falje që babai i tij vari poetin Havzi Nela”, deklaroi ajo.
Në fund të fjalës, Lavdije Nela iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit: “Rama, jep dorëheqjen! Largohu dhe përballu me drejtësinë”.
Ajo u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri dhe akuzoi qeverinë aktuale se nuk punon për interesin e qytetarëve.
Protestuesi: “Rama në burg, Berisha në burg”
Në vijim të protestës, një tjetër qytetar kërkoi që drejtësia të zbatohet pa dallim ndaj politikanëve që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin.
“Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë kriminelët që e lanë Shqipërinë të varfër! Të gjithë duhet të përfundojnë në burg për krimet ndaj këtij vendi”, deklaroi ai.
Protestuesi iu referua edhe një deklarate të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të shpërndarë nga Ambasada e SHBA-së, duke e interpretuar atë si një kritikë ndaj qeverisjes së korruptuar dhe dobësimit të kapaciteteve shtetërore.
Ai përmendi ndër të tjera pamundësinë e një shteti për të garantuar prodhimin, kontrollin e kufijve dhe mbrojtjen e burimeve jetike, duke e lidhur këtë me situatën politike në Shqipëri.
Sipas protestuesit, qytetarët që marrin pjesë në tubim nuk janë aty për interesa personale, por për të kërkuar një vend ku mund të jetojnë me dinjitet.
Protesta u mbyll me thirrje për vijimin e qëndresës dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit.









