Në ditën e 78-të të protestës para Kryeministrisë, aktivistët deklaruan se nuk do të tërhiqen deri në largimin e qeverisë Rama. Nga sheshi u hodhën akuza edhe ndaj ministrit Blendi Gonxhja, ndërsa protestuesit kërkuan që protesta të mbetet jashtë kontrollit të partive politike.
Protesta para Kryeministrisë vijoi edhe sonte në ditën e 78-të, me pjesëmarrësit që deklaruan se qëndresa do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për largimin e qeverisë.
Një prej aktivistëve u shpreh se protestuesit nuk do të largohen nga sheshi pa ndryshuar situata politike në vend, duke e cilësuar qeverinë si të korruptuar dhe klasën politike si të inkriminuar.
“Ne nuk do të largohemi nga ky shesh pa u larguar kjo qeveri e korruptuar dhe kjo klasë e inkriminuar”, deklaroi ai.
Sipas tij, 78 ditët e protestës kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe aftësinë për t’u bashkuar përtej bindjeve politike dhe krahinore.
“Është e jashtëzakonshme sesi për 78 ditë ky bulevard ka një energji të jashtëzakonshme. Kemi treguar se jemi bashkë mbi çdo ideologji politike dhe krahinë nga vijmë. Do të jemi bashkë sepse qëllimi është më i madh se ne, është vetë Shqipëria”, u shpreh aktivisti.
Ai pretendoi se pranë kryeministrit ka njerëz që kanë paralajmëruar se protesta do të shpërndahet para muajit shtator, por tha se një skenar i tillë nuk do të realizohet.
“Njerëzit më të afërt të kryeministrit i kanë dhënë fjalën se do ta shpërndajnë protestën para shtatorit, por nuk do të shpërndahemi pa të larguar ty”, deklaroi ai, duke iu drejtuar kryeministrit Rama.
Aktivisti kërkoi që protesta të ruajë karakterin e saj qytetar dhe jashtëpartiak, duke paralajmëruar se promovimi i partive apo organizimeve politike në shesh mund të përçajë pjesëmarrësit.
“Mjafton që ai që vjen dhe flet të mos ketë funksione, të mos jetë këshilltar bashkiak dhe deputet. Nuk duhet të promovohen parti dhe organizime politike, sepse secili ka bindjet e tij. Nëse i artikulojmë, do të harrojmë qëllimin dhe do të merremi me njëri-tjetrin”, tha ai.
Në vijim të protestës, një tjetër qytetar hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, duke deklaruar se sipas tij të dyja kampet kryesore politike janë delegjitimuar përballë qytetarëve.
“Rama dhe Berisha kanë rënë, janë delegjitimuar. Kanë ngritur një sistem ku kanë larguar rininë”, u shpreh protestuesi.
Ai akuzoi qeverinë se ka dështuar në krijimin e mundësive për të rinjtë dhe se emigracioni është kthyer në një problem të madh për vendin.
Sipas tij, premtimet për hapjen e vendeve të reja të punës nuk janë përmbushur, ndërsa pensionistët janë lënë pas dore.
Protestuesi kritikoi gjithashtu ministrin Gonxhja, duke kërkuar hetim lidhur me mënyrën se si janë dhënë lejet dhe patentat, si dhe duke hedhur akuza për korrupsion. Ai pretendoi se ndaj protestuesve është krijuar një faqe me etiketime, të cilën e lidhi me ministrin.
“Gonxhja ka një faqe me etiketime vetëm për protestuesit. Harron Gonxhja që jepte patenta pa hesap me korrupsion. Duhet të hetohet për patentat që u ka dhënë fëmijëve”, deklaroi ai.
Protestuesi u shpreh gjithashtu se largimi i të rinjve nga Shqipëria është një prej pasojave më të rënda të politikave të ndjekura ndër vite, duke e lidhur këtë situatë drejtpërdrejt me përgjegjësinë e klasës politike.
Në ditën e 78-të të protestës, mesazhi i përsëritur nga folësit ishte se qëndresa do të vazhdojë dhe se sheshi duhet të mbetet një hapësirë e përbashkët për qytetarët, pa dominim të forcave apo interesave partiake.









