Në 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, mijëra qytetarë marshuan drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Poshtë qeveria”. Protestuesit apeluan për bashkim kombëtar dhe vijim të mobilizimit qytetar.
Tubimi nisi në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kjo protestë përkoi me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, një simbolikë që u theksua vazhdimisht nga pjesëmarrësit. Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe parulla të shumta, turma kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim rrënjësor të sistemit politik.
Thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Arresto Belindën”, “Poshtë qeveria” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” dominuan atmosferën. Një nga sloganet më të përhapura ishte “Tepsia do kurban”, i shoqëruar me pankarta ku shfaqeshin fotot e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si simbol i kundërshtimit ndaj dy figurave kryesore të politikës shqiptare.
Po ashtu, u dëgjua edhe thirrja ironike “O Ramë o fosil, ik me Salën në azil”. Protestës iu bashkuan edhe qindra qytetarë nga diaspora, ndërsa pankartat me mesazhe patriotike si “Prizren 1878, Tiranë 2026” dhe “Nga Çamëria në Mollë të Kuqe, jemi shqiptarë” spikatën në turmë.
Organizatorët apeluan për qetësi dhe shmangie të provokimeve, duke theksuar se protesta është qytetare dhe përtej ndasive partiake. “Mos u përçani, jemi këtu për Shqipërinë”, u shpreh një nga aktivistet.
Të rinjtë dhe studentët ishin gjithashtu të pranishëm me pankarta si “Nuk i ke larë ende hesapet me studentët”, “Kur studentët ngrihen shteti dridhet” dhe “Pa rininë nuk ka Shqipëri”. Sipas organizatorëve, mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa protestuesit kërkojnë një qeverisje më transparente, llogaridhënie dhe zgjedhje të ndershme.
Protesta e sotme u cilësua si një nga më masivet e ditëve të fundit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes pakënaqësinë qytetare ndaj politikës aktuale.









