Protestuesit ndryshuan sot itinerarin e tubimit duke marshuar fillimisht drejt Kuvendit, ku bllokuan hyrjen kryesore dhe detyruan deputetët të largoheshin nga daljet alternative. Më pas, ata vijuan protestën para selisë së Partisë Demokratike dhe u rikthyen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me thirrje kundër qeverisë dhe opozitës.
Në ditën e 19-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët zgjeruan aksionin e tyre duke e zhvendosur tubimin nga Kryeministria drejt Parlamentit dhe më pas para selisë së Partisë Demokratike. Ndryshimi i itinerarit erdhi në kohën kur në Kuvend po zhvillohej seanca plenare, ku u miratuan amnistia penale dhe ndryshimet në Kodin Rrugor.
Protestuesit bllokuan hyrjen kryesore të Kuvendit, duke surprizuar deputetët, të cilët u detyruan të largoheshin nga daljet alternative në pjesën e pasme të godinës. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Dorëzoni mandatet” dhe “Parlamenti i mafies”, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Një moment i veçantë u shënua kur një grup protestuesish rrethuan deputetin socialist Ardit Bido, duke i drejtuar akuza dhe thirrje kundërshtuese. Megjithatë, protesta u zhvillua pa incidente serioze apo përplasje me forcat e rendit, të cilat kishin vendosur kordonë metalikë dhe masa sigurie pranë Parlamentit.
Pas ndalesës para Kuvendit, qindra protestues marshuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan sloganet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Opozitë e shitur”, duke sinjalizuar se kundërshtimi i tyre nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike.
Më pas, protesta u rikthye në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, ku qytetarët vijuan me fjalime dhe thirrje për ndryshim politik. Organizatorët deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë aktuale dhe reforma në sistemin politik.









