Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të hënë përpara Kryeministrisë në Tiranë, duke zhvilluar marshimin e 30-të radhazi me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Protestës iu bashkuan edhe eurodeputetë nga Gjermania dhe Holanda, të cilët shprehën mbështetje për kauzën e protestuesve dhe premtuan se zëri i tyre do të përcillet në institucionet e Bashkimit Europian.
Ka nisur marshimi i 30-të i protestës përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Protestuesit shënuan një muaj mobilizim të pandërprerë në kryeqytet, duke deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Pjesëmarrësit marshuan me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshime politike. Ata shprehën pakënaqësinë për situatën ekonomike, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes, duke theksuar se protesta synon të ushtrojë presion qytetar ndaj institucioneve.
Gjatë aktivitetit, aktivisti Arben Kola njoftoi se në protestën e kësaj të hëne morën pjesë katër eurodeputetë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Sipas tij, delegacioni përfshinte përfaqësues nga Holanda, Gjermania dhe Italia, ndërsa shtoi se në protestat e ardhshme pritet të marrin pjesë edhe senatorë e kongresmenë amerikanë.
“Kushdo që kontribuon për largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë është i mirëpritur. Dorëheqje!”, deklaroi Kola para protestuesve, duke theksuar se mbështetja ndërkombëtare është e rëndësishme për kauzën e tyre.
Në tubim mbajti fjalën edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila u shpreh se Shqipëria meriton një zhvillim që respekton qytetarët dhe mjedisin. Ajo përgëzoi protestuesit për qëndresën e tyre dhe deklaroi se pasuritë natyrore të vendit nuk duhet të sakrifikohen për interesa private.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe është frymëzuese të shohësh njerëz që luftojnë për ta mbrojtur. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur dhe do ta çojmë zërin tuaj në Bruksel. Shqipëria nuk është në shitje dhe as natyra e saj”, u shpreh Paulus.
Eurodeputetja theksoi se, nëse Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të harmonizojë legjislacionin me standardet evropiane dhe të rishikojë, sipas saj, ligjet që favorizojnë interesa të veçanta në dëm të qytetarëve.
Në fjalën e saj, Paulus bëri edhe një deklaratë lidhur me një proces votimi në Parlamentin Europian, duke pretenduar se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama ku i kërkohej të mos mbështeste një amendament. Sipas saj, amendamenti u votua gjithsesi, pasi ligji evropian duhet të zbatohet pa ndërhyrje politike.
Mbështetje për protestuesit shprehu edhe eurodeputetja holandeze Tineke Strik. Ajo deklaroi se solidarizohet me qytetarët shqiptarë dhe garantoi se kërkesat e tyre do të dëgjohen edhe në Bruksel.
“Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni mobilizimin, sepse zëri juaj do të dëgjohet edhe në Bruksel. Do të luftojmë për të njëjtat vlera, për demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve”, tha Strik.
Organizatorët e protestës ritheksuan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre për ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.









