Protesta qytetare para Kryeministrisë vijoi për të 53-ën ditë radhazi, me pjesëmarrësit që deklaruan se nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit u kërkua që SPAK dhe BKH të thellojnë hetimet për vendimmarrjen e qeverisë, ndërsa nuk munguan edhe akuzat ndaj ministrit Blendi Gonxhja për çështjet e turizmit dhe menaxhimin e fondeve publike.
Protesta e 53-të qytetare para godinës së Kryeministrisë është shoqëruar me thirrje për vijimin e mobilizimit kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se nuk do të tërhiqen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalimeve të mbajtura në podium, protestuesit kërkuan që institucionet e drejtësisë të thellojnë hetimet për çështjet që lidhen me vendimmarrjen e qeverisë, duke përmendur edhe SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Një nga protestueset u shpreh se fakti që SPAK dhe BKH po zhvillojnë hetime për çështje të ndryshme përbën një sinjal pozitiv për qytetarët, ndërsa kërkoi që drejtësia të hetojë edhe kryeministrin Edi Rama.
“Jemi këtu për t’ju larguar ju që doni të na largoni nga vendi ynë. Në 53 ditë nuk ka ndodhur vetëm një protestë, por një ndryshim i madh në shoqërinë shqiptare. Na thoshin se shqiptarët nuk dinë të bashkohen, por në këto 53 ditë kemi treguar solidaritet dhe kemi dëshmuar se dimë të reagojmë. Ne jemi bërë Europa që i thotë jo hajdutëve dhe që i del përballë krimit. I bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të verifikojnë nëse janë respektuar ligjet dhe të hetojnë Edi Ramën”, deklaroi ajo.
Në protestë pati edhe reagime ndaj ministrit Blendi Gonxhja, pas deklaratave të tij lidhur me anulimin e koncerteve të artistëve ndërkombëtarë Jennifer Lopez dhe Kanye West. Një prej aktivistëve hodhi poshtë pretendimet se protestat kanë ndikuar në anulimin e tyre, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë nga dështimet në sektorin e turizmit.
Sipas tij, problemet në turizëm lidhen me politikat qeveritare, mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe shërbimet publike, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike në zonat turistike. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, janë menaxhuar fondet publike dhe projektet strategjike, duke deklaruar se qytetarët nuk janë kundër investimeve, por kundër atyre që, sipas tij, nuk sjellin përfitime për komunitetin.
Aktivisti akuzoi qeverinë edhe për shpopullimin e vendit, duke argumentuar se emigracioni dhe braktisja e zonave rurale janë pasojë e politikave ekonomike dhe sociale të viteve të fundit. Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si një mundësi për të kërkuar ndryshim.
Emocione pati edhe gjatë fjalës së një qytetari të moshuar, i cili tha se ishte detyruar t’i bashkohej protestës për shkak të vështirësive personale. Ai falënderoi publikisht televizionin News24 dhe gazetarin Osman Stafa, duke treguar se e kishte mbështetur në një moment të vështirë të jetës, kur sipas tij ishte braktisur nga të tjerët.
I moshuari kërkoi gjithashtu llogari publike për fondet që, sipas pretendimeve të tij, janë përdorur për organizimin e aktiviteteve artistike, ndërsa ngriti pyetje mbi financimet në sektorin e shëndetësisë. Në fund të fjalës, ai u bëri thirrje të rinjve të angazhohen më shumë në jetën publike dhe kërkoi vëmendje më të madhe ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët.









