Qytetarët u mblodhën sërish përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie teknike dhe hetimin e kreut të qeverisë nga SPAK. Protestuesit deklaruan se tubimet do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Për të 68-ën ditë radhazi, qytetarë nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën në protestën e organizuar kundër kryeministrit Edi Rama, duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e tij nga detyra.
Protestuesit deklaruan se dorëheqja e kreut të qeverisë mbetet një kërkesë e panegociueshme, ndërsa theksuan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Krahas kësaj, ata kërkuan krijimin e një qeverie teknike me mandat 12-mujor, si edhe nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit nga SPAK.
Sipas pjesëmarrësve, pakënaqësitë lidhen me atë që ata e cilësojnë si keqqeverisje, korrupsion dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend.
Nga podiumi i ngritur përpara Kryeministrisë, një prej protestuesve bëri thirrje për bashkim, duke deklaruar se vetëm një reagim i gjerë qytetar mund të sjellë ndryshime.
“Që nga Konispoli deri në Vermosh të bëhemi të gjithë bashkë dhe të zhdukim këtë regjim. Duhet të mblidhemi, sepse ekonomia e popullit shqiptar është shkatërruar. Njerëzit kanë marrë rrugët e botës, ndërsa qeveritarët kanë vjedhur popullin”, u shpreh ai.
Në protestë foli edhe aktivisti Florian Myftari, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me lëvizjen dhe të angazhohen më aktivisht në jetën publike.
“Ju që jeni në shtëpi dhe e keni humbur besimin, duhet të kuptoni se Shqipëria nuk është brenda katër mureve. Shqipëria është në rrugë, në institucione, në fusha, male dhe dete. Ky është vendi ynë dhe ne duhet ta mbrojmë”, deklaroi ai.
Myftari tha se qytetarët janë lodhur nga premtimet e pambajtura dhe se protestat synojnë t’i japin fund, sipas tij, mashtrimit të vazhdueshëm të klasës politike.
“Duhet t’i tregojmë kësaj politike se sovrani është populli. Ne do të vendosim me votën e lirë se cili do të jetë drejtimi i vendit”, theksoi aktivisti.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre nuk do të ndryshojnë.









