Mbi 2,1 tonë produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë janë bllokuar nga Dogana e Tiranës, pasi gjatë kontrolleve u konstatuan mangësi në etiketim. Ngarkesa përmbante rreth 156 mijë njësi produktesh, të cilat nuk do të lejohen të dalin në treg deri në përfundimin e verifikimeve.
Dogana e Tiranës ka bllokuar një ngarkesë prej mbi 2,1 tonësh me produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë, pas konstatimit të parregullsive në informacionin e detyrueshëm të etiketimit.
Sipas Administratës Doganore, ngarkesa përbëhej nga rreth 156 mijë njësi produktesh të ambalazhuara, në etiketat e të cilave mungonin të dhënat e kërkuara për datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit.
Shkeljet u zbuluan gjatë kontrollit fizik të mallrave, të kryer nga Dega Doganore Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bazë të analizës së riskut.
Sipas autoriteteve, mungesa e informacionit të detyrueshëm përbën shkelje të rregullave të etiketimit të ushqimeve, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018.
Për këtë arsye, është vendosur bllokimi i të gjithë ngarkesës, ndërsa mallrat nuk do të lejohen të çlirohen nga dogana deri në përfundimin e kontrolleve dhe procedurave ligjore.
Lidhur me rastin, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar verifikimin e plotë të parregullsive dhe ndjekjen e procedurave përkatëse nga strukturat përgjegjëse.
Administrata Doganore thekson se kontrollet do të vijojnë për të parandaluar tregtimin e produkteve që nuk përmbushin kërkesat ligjore dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve.









