Banesa e ish-kreut të policisë është kontrolluar mëngjesin e sotëm nga hetuesit e BKH-së
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me kontrollet e ushtruara mëngjesin e sotëm në banesën e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës.
Mësohet se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar në banesën e Prodës aparatin e tij celular, një laptop, si dhe disa USB dhe CD. Për momentin, nuk dihet nëse Prodës i është caktuar masë sigurue.
Proda po hetohet në lidhje me dosjen mbi skandalin e AKSHI-t, pasi dyshohet se në telefonin e biznesmenit të arrestuar, Ergys Agasi janë gjetur prova që e implikojnë.
Njëkohësisht, SPAK ka kërkuar edhe arrestimin e drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo akuzohet për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit shtetëror”.
Zhvillimi i sotëm merr një tjetër rëndësi për shkak të emrit të Ergys Agasit, një prej personave kryesorë të dosjes “AKSHI”. Dyshohet se Spak ka zgjeruar hetimet pas sekuestrimit të materialeve që gjendeshin në celularin e tij, dhe ka gjetur lidhje mes personave të sipërpërmendur.
Agasi u arrestua më 26 gusht 2026, pas disa muajsh në kërkim, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të lidhura me hetimin e SPAK për procedurat e prokurimeve dhe veprimtarinë e disa kompanive që kanë përfituar kontrata publike.
Më 21 shtator, vetëm një ditë përpara aksionit të ri, Apeli i GJKKO-së shqyrtoi kërkesën e Agasit për ndryshimin e masës së sigurisë.









