Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës argumentoi se roli i Adela Kondakçiut ka qenë tërësisht periferik dhe teknik, duke mos pasur asnjë funksion vendimmarrës apo drejtues në aktivitetin e dyshuar kriminal. Sipas mbrojtjes, veprimet e saj kontabël dhe pasqyrimi i faturave janë bërë pa pasur dijeni të plotë mbi natyrën apo burimin e fondeve, duke zbatuar ekskluzivisht urdhrat e eprorëve.
Adela Kondakçiu, ish-financierja e disa shoqërive dhe organizatave jofitimprurëse e përfshirë në dosjen hetimore “Veliaj”, ka paraqitur konkluzionet përfundimtare përpara Gjykatës së Posaçme.
Përmes mbrojtjes së saj ligjore, Kondakçiu ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për dënimin e saj me burg, duke pretenduar pafajësi.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës argumentoi se rolin e Kondakçiut ka qenë tërësisht periferik dhe teknik, duke mos pasur asnjë funksion vendimmarrës apo drejtues në aktivitetin e dyshuar kriminal.
Sipas mbrojtjes, veprimet e saj kontabël dhe pasqyrimi i faturave janë bërë pa pasur dijeni të plotë mbi natyrën apo burimin e fondeve, duke zbatuar ekskluzivisht urdhrat e eprorëve.
“Klientja ime nuk ka pasur dijeni të plotë për natyrën e fondeve financiare apo materiale që lëviznin nga njëri subjekt tek tjetri. Ajo thjesht pasqyronte të dhënat nga zyra dhe faturonte shërbimet. Të gjitha veprimet kontabël urdhëroheshin nga menaxherët dhe pronarja Ajola Xoxa,” u shpreh avokati, duke kërkuar që Gjykata të mos e deklarojë atë fajtore për veprën penale të “pastrimit të parave”.
Mbrojtja vuri theksin gjithashtu te faktet se e pandehura nuk ka asgjësuar asnjë dokument, nuk ka penguar hetimet dhe se qëllimi i saj nuk ka qenë në asnjë moment përfitimi material.
“Jo vetëm që nuk ka përfituar, por është vënë në dispozicion të drejtësisë dhe ka patur kosto për transparencën e saj. Ka ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për organet e drejtësisë”, tha avokati.
Adela Kondakçiu gëzon statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, pasi ka bashkëpunuar me organin e akuzës për zbardhjen e skemës së pretenduar të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Ajo ka dorëzuar prova të reja që rëndojnë pozitat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Për shkak të këtij dëshmie, Kondakçiu ka pretenduar se ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga Xoxa dhe avokatët e saj.
Sa i përket masës së dënimit, SPAK ka mbajtur një qëndrim të dyanshëm. Kërkesa fillestare ishte për dënim me 7 vite burgim, i cili zbret në 4 vite e 8 muaj për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Ndërsa në fund, nisur nga kontributi i saj kyç në hetim dhe statusi i bashkëpunëtores, prokurorët e SPAK i kanë kërkuar gjykatës përjashtimin e saj nga dënimi.
Kondakçiu po gjykohet me procedurë të shkurtuar së bashku me disa të pandehur të tjerë, ndërsa procesi për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe disa subjekte e persona të tjerë të përfshirë, është veçuar dhe po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Seanca e radhës në GJKKO është caktuar për më 23 korrik, datë në të cilën pritet të lexohen konkluzionet përfundimtare për të pandehurit e tjerë të këtij procedimi.
SPAK pretendon se ka arritur të provojë marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste. Sipas SPAK çifti ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Në kërkesën për gjykim, SPAK ka renditur 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. SPAK ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.









