Sipas policisë greke, organizata kishte tërhequr të paktën 10 mijë persona në një platformë investimesh, ku kishin hyrë rreth 8 milionë dollarë. Të dyshuarit premtonin dyfishimin e kapitalit brenda 50 ditësh.
Policia greke ka goditur një organizatë të dyshuar kriminale që joshte investitorët e kriptomonedhave me premtimin se do t’ua dyfishonte kapitalin fillestar brenda 50 ditësh.
Autoritetet arrestuan gjithsej 17 persona gjatë një operacioni të zhvilluar në disa zona të Greqisë. Mes të arrestuarve ndodhen edhe dy persona që dyshohet se kishin role drejtuese në organizatë dhe që, sipas informacioneve të medias, janë ushtarakë. Dosja përfshin edhe nëntë persona të tjerë.
Si funksiononte skema
Sipas njoftimit të Policisë Greke (EL.AS.), organizata vepronte të paktën që nga viti 2025 dhe përdorte struktura biznesi në dukje të ligjshme, si dhe një platformë online për të tërhequr investitorë.
Hetuesit thonë se grupi kishte ngritur një sistem piramidal. Personat nën hetim premtonin kthime jashtëzakonisht të larta, të cilat autoritetet i konsiderojnë fiktive, duke pretenduar se kapitali i investuar mund të dyfishohej brenda 50 ditësh.
Sipas policisë, anëtarët e organizatës u premtonin investitorëve fitime të larta dhe të garantuara, me rrezik minimal ose zero. Anëtarë të tjerë të grupit merreshin me rekrutimin e investitorëve të rinj.
Nga hetimet rezulton se në skemë ishin tërhequr të paktën 10 mijë persona, ndërsa në platformë kishin hyrë rreth 8 milionë dollarë.
Gjatë hetimeve paraprake, autoritetet identifikuan 18 viktima që kishin investuar para përmes platformës. Dëmi i dokumentuar për këta persona arrin në 55.970 euro.
Operacion në disa qytete të Greqisë
Operacioni policor u zhvillua në Pieria, Larisa, Mitilini, Patra, Janinë, Pire, Komotini, Prevezë, Athinë dhe Kavala.
Policia kontrolloi pesë zyra, nëntë banesa dhe ambiente të tjera. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 32 telefona celularë, 38 pajisje portative për ruajtjen e të dhënave, 16 disqe, 21 laptopë, shtatë kompjuterë, 15 tableta, një makinë për numërimin e parave, pajisje regjistrimi të kamerave të sigurisë, karta bankare dhe karta SIM.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu 295.090 euro në para të gatshme. Në posedim të njërit prej të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë sinjalizuese, tre mjete piroteknike dhe 26 sfera metalike.
Prokuroria e Shkallës së Parë në Katerini ka ngritur akuza lidhur me organizatë kriminale, mashtrim dhe pastrim parash. Të arrestuarit janë dërguar para autoriteteve hetimore për të dhënë shpjegimet e tyre.









