Nga ana tjetër një 18-vjeçar është arrestuar nga policia, e Tiranës pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një servisi celularësh në zonën e Babrrusë, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e biznesit.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Lezhë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka tentuar të vrasë nënën e bashkëjetueses së tij duke e përplasur me automjet.
Sipas Policisë, rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, i riu me inicialet C. B., banues në Tiranë, kishte shkuar për të marrë bashkëjetuesen. Në momentin që kanë dalë familjarët e saj, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e saj, 43-vjeçaren K. H., duke i shkaktuar dëmtime trupore, e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pak çaste më vonë, i riu u lokalizua dhe u vu në pranga. 28-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë. Ndërkaq e dëmtuara u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga ana tjetër një 18-vjeçar është arrestuar nga policia, e Tiranës pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një servisi celularësh në zonën e Babrrusë, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e biznesit.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur i riu me inicialet R. M., pas një debati me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me automatik në drejtim të lokalit. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme të biznesit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan operacionin e koduar “Zbulimi”, në kuadër të të cilit autori u lokalizua rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe u vu në pranga.Gjatë kontrollit të zonës, Policia gjeti dhe sekuestroi armën automatike të përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.









