Deklarata u bë gjatë fjalës së Ramës në një takim në New York, në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Joe Biden e ka “tradhtuar” ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u dënuar me 25 vite burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Deklarata u bë gjatë fjalës së Ramës në një takim në New York, në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Rama u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kishin bërë më shumë në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë dënuar në total me 81 vite burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Më lejoni të them disa fjalë pa mbajtur një fjalë tjetër të gjatë. Dua së pari të falënderoj Ilirin dhe Martinin për këtë ftesë bujare. I kërkoj ndjesë gjithëkujt që ndoshta do ndihet disi i shpërfillur, por mund të them se gjëja më e mirë që mund të më ndodhte sot, është të isha ulur krah kumbarit të komunitetit shqiptar, zotit Sal Rusi.
Meqë ra fjala për Sal Rusin dhe familjen e tij, më bën të vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar në strehën e tij. Ai është Hashim Thaçi, ai nuk është me ne këtu, sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden që e emërtoi si “George Washingtonin e Kosovës”, e tradhtoi. Edhe pse Gjenerali Klark dhe disa njerëz bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin.
Kur them tradhtuar, është sepse ne si vend i vogël ndihemi miq me SHBA-të, më të mëdhenjtë e më të fortët. Mund të ishte bërë më shumë, duke mos lejuar që kjo farsë të niste. Gjeneral, ju jam mirënjohës për gjithçka keni bërë në kapacitetin tuaj personal”, tha mes të tjerash Rama.









