Një sasi e dyshuar lënde plasëse është konstatuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë hyrjes së një lokali në rrugën “Berisha”, në Kamëz. Lënda nuk ka shpërthyer, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas informacionit paraprak të policisë, rasti është konstatuar rreth orës 06:30 të datës 29 tetor 2026, pranë derës së një subjekti në pronësi të shtetasit K. H., 38 vjeç.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e specializuara xheniere, të cilat kanë bërë të mundur heqjen e lëndës së dyshuar plasëse.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e rastit, si dhe për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen.
Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar mbi personat që mund të jenë të përfshirë apo mbi motivet e mundshme të vendosjes së lëndës plasëse pranë lokalit. Hetimet vijojnë.









