Objektivi i atentatit ishte Ermir Kërtezi, i njohur edhe si Mir Bitoci, ndërsa autori i dyshuar, i cili para ngjarjes ndodhej në lokal i ulur me një grua, është arrestuar.
Një pistoletë e drejtuar në kokë, një reagim i menjëhershëm i shënjestrës dhe bllokimi i armës në çastin e fundit. Kjo është dinamika paraprake e ngjarjes së rëndë të regjistruar mesditën e së shtunës në Elbasan, ku objektiv i një atentati dyshohet se ishte Ermir Kërtezi (Bitoci), i njohur edhe si Mir Bitoci.
Autori i dyshuar është arrestuar pas ngjarjes, ndërsa hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm për të rindërtuar minutë pas minute atë që ndodhi.
Ngjarja dyshohet se është regjistruar rreth orës 14:50, në momentin kur Kërtezi po largohej nga një lokal në qytetin e Elbasanit.
Sipas të dhënave paraprake, personi që se tentoi ta qëllonte ndodhej gjithashtu brenda lokalit. Ai ishte ulur në një tavolinë në shoqërinë e një gruaje.
Pamjet e kamerave tregojnë Kërtezin duke u ngritur nga tavolina dhe duke u larguar nga ambientet e lokalit. Vetëm pak çaste më pas, edhe autori i dyshuar ngrihet dhe e ndjek nga pas. Pasi kanë dalë jashtë, autori i është afruar Kërtezit dhe i ka drejtuar armën në pjesën e pasme të kokës. Në këtë moment, Kërtezi ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur të largohet.
Paralelisht, hetuesit po verifikojnë një tjetër rrethanë të rëndësishme: dyshimin se pistoleta e autorit është bllokuar në momentin kur ai ka tentuar të qëllojë.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga ekspertiza, pritet të jetë një element me rëndësi për rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Pas incidentit, policia ka ndërmarrë veprime për kapjen e personit të dyshuar, i cili është arrestuar.
Grupi hetimor po mbështetet te pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal për të përcaktuar lëvizjet e të dyshuarit para dhe gjatë ngjarjes.
Një tjetër pikë kyçe është motivi. Deri tani nuk është bërë publik një motiv i konfirmuar, ndërsa hetuesit pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo për një sulm të planifikuar.
Kush është Ermir Kërtezi (Bitoci)?
Objektivi i dyshuar i atentatit është Ermir Kërtezi (Bitoci), i njohur edhe si Mir Bitoci. Sipas informacioneve të raportuara, ai jeton prej kohësh jashtë Shqipërisë dhe kthehet në Elbasan gjatë periudhës së verës.
Emri i tij është përmendur në raportime mediatike për episode që lidhen me periudhën e trazuar të viteve 1997–2000. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara që këto episode të kenë lidhje me ngjarjen e së shtunës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin, rrethanat e plota dhe nëse sulmi ndaj Ermir Kërtezit ishte planifikuar paraprakisht.









